Google ADS

IPKO, udhëheqëse në tregun e televizionit kabllor digjital

16:02 | 31 Mars 2015
Arbresh.info

Lansimi i produkteve dhe teknologjive të reja e ka ndihmuar IPKO-në ta vazhdojë rritjen e saj në telefoninë mobile, në internet dhe televizionin kabllor digjital

IPKO sot i ka prezantuar rezultatet financiare për tremujorin e fundit të vitit 2014. Dhe kur të njëjtat krahasohen me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, në tremujorin e katërt të 2014 kompania ka marrë 2.5 për qind më shumë pjesëmarrje në tregun mobil, për ta arritur totalin prej 36.2 për qind të tregut të telefonisë mobile, 13.6 për qind rritje të tregut të internetit, ndërsa ka mbajtur pozitën e udhëheqësit të tregut në televizionin kabllor digjital.

Deri në fund të 2014, IPKO ka gjeneruar 69.5 milionë euro në të ardhura, 43.4 milionë euro në shpenzime, EBITDA prej 26.1 milionë euro, EBIT prej 7.1 milionë euro dhe investime kapitale vjetore prej 13.9 milionë euro. Investimet e përgjithshme kapitale të kompanisë në ekonominë e Kosovës që nga viti 2007 e deri më sot kanë arritur në 267.7 milionë euro.

“Viti 2014 ka qenë vazhdimësi e rritjes së kompanisë sa i përket numrit të përdoruesve, pjesëmarrjeve në treg, produkteve dhe shërbimeve, teknologjive të reja për përdoruesit, dhe kënaqësisë konsumatore dhe lojalitetit të tyre. Përkundër shumë sfidave me të cilat jemi përballur, ne jemi krenar për të arriturat pozitive në biznes, dhe zotohemi për investime të reja në vitin 2015, oferta të reja inovative të kombinuara me performancë të ngritur të biznesit, me fokus primar tek përdoruesit tanë ekzistues dhe ata të rinj” ka thënë Robert Erzin, drejtor ekzekutiv në kompaninë IPKO.

Rezultatet pozitive të biznesit IPKO-së ishin të shtyra nga ofertat dhe produktet unike të kompanisë të mundësuara nga teknologjitë e fundit në telefoninë mobile. Zhvillimet kyçe të kompanisë gjatë vitit të kaluar në segmentin mobil përfshijnë lansimin e rrjetit të parë dhe të vetëm 4G LTE në Kosovë, ofertat ekskluzive të Apple iPhone 6 dhe iPhone 6 Plus, 30 modele të telefonave të mençur mobil nga prodhuesit global, planet e reja tarifore me kosto të ulët me minuta kombëtare dhe SMS, telefonat me pako të përshtatura për fëmijët, oferta me 1 cent për thirrje, SMS dhe megabajt, dhe pakot e internetit në mobil për Kosovën dhe Shqipërinë.

Gjatë gjithë vitit 2014 dhe në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, IPKO ka zgjeruar produktet dhe shërbimet e e saj në më shumë se 100 fshatra të reja në tërë Kosovën, duke arritur dhjetëra mijëra përdorues të rinj të internetit dhe TV digjital.

Si pjesëmarrës i rëndësishëm në komunitetin lokal, vitin e kaluar IPKO ka inicuar një projekt të përgjegjësisë sociale të korporatës për mbështetjen e shkollave dhe fëmijëve në zonat rurale, nga i cili kanë përfituar 30 shkolla fillore publike, të cilat janë rinovuar dhe pasuruar me mjete të reja të mësimit, dhe mijëra nxënës kanë përfituar nga mjetet e reja të të mësuarit dhe nga ambienti më i mirë në shkollat e tyre./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme