Ka arritur sot kontingjenti prej 35 mijë e 100 dozash të vaksinës kundër COVID-19, Pfizer/BioNTech, dhuruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes programit COVAX.
Kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë e pranimit, ku të pranishëm ishin edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett si dhe koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se vendi ynë është mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhe solidaritetin nga të gjithë, e veçanërisht nga miqtë dhe aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në emër të qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës, falënderoj aleancën COVAX dhe të gjithë ata që po dhurojnë në këtë aleancë, për përkrahjen e dhënë në një periudhë të vështirë në mars të këtij viti dhe për vazhdimin e kësaj përkrahje tani që po përballemi me përhapjen eksplozive të variantit Delta të virusit”, veçoi ai.
Deri më tani kemi arritur të vaksinojmë 232 mijë e 993 qytetarë me dozën e dytën, u shpreh më tej kryeministri Kurti, duke thënë se prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 680 mije e 101 doza të vaksinës.
Kryeministri Kurti u zotua se Qeveria e Kosovës do të angazhohet maksimalisht që të përmbushë synimin që brenda vitit të imunizohen 60% të popullatës në grupmoshën e atyre që duhet vaksinuar./arbresh.info/
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të dashur qytetarë,
E nderuara Presidente e Republikës znj. Vjosa Osmani,
I nderuar ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Philip Kosnett,
E nderuara Përfaqësuese e Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, znj. Ulrika Richardson,
E nderuara Drejtore e USAID-it, znj. Zeinah Salahi,
I nderuar Ministër i Shëndetësisë, z. Arben Vitia,
Të nderuar të pranishëm,
Në një periudhë të rëndë për botën, vetëm solidariteti mes njerëzve e shteteve e mundëson triumfin në përballje me një armik të përbashkët për gjithë njerëzimin.
Më 28 mars të këtij viti, në një kohë të vështirë në përballje me virusin, ne ishim në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, për të pranuar kontingjentin e parë të vaksinave në Kosovë, donacion nga COVAX.
Tani, kur po përballemi me valën më dramatike të virusit Corona, me variantin Delta, po pranojmë kontingjentin e parë prej 35.100 doza të vaksinave nga 500 mijë sosh sa do të vijnë, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendi ynë është mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhe solidaritetin nga të gjithë, e veçanërisht nga miqtë dhe aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në emër të qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës, falënderoj aleancën COVAX dhe të gjithë ata që po dhurojnë në këtë aleancë, për përkrahjen e dhënë në një periudhë të vështirë në mars të këtij viti dhe për vazhdimin e kësaj përkrahje tani që po përballemi me përhapjen eksplozive të variantit Delta të virusit.
Gjatë muajve të parë të qeverisjes, ne e vendosëm prioritet menaxhimin e pandemisë, sigurimin e vaksinave dhe përgatitjen e nevojshme dhe profesionale për administrimin e vaksinave.
Me ritmin dhe dinamikën aktuale të vaksinimit, dozat që pranuam sot, do të administrohen brenda një dite e gjysmë.
Pavarësisht se ne kemi filluar më së voni me procesin e vaksinimit për shkak të mungesave që i kemi gjetur, deri më tani kemi arritur të vaksinojmë 232 mijë e 993 qytetarë me dozën e dytën, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 680 mijë e 101 doza të vaksinës.
Në përkrahje të procesit të vaksinimit kundër COVID-19, kemi marrë vendim për angazhimin e 1 mijë e 116 profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës shtesë.
Të dashur qytetarë,
Po përballemi me një pandemi shumë të vështirë, zgjidhja përfundimtare e së cilës është vaksinimi.
Mjekët, infermierët dhe punonjësit shëndetësorë të cilët janë në vijën e parë të frontit, tash e 17 muaj pareshtur janë përkujdesur për shëndetin tonë.
Përkushtimi i tyre i përditshëm dhe sakrifica që po bëjnë në shpëtimin e jetës, na detyron të gjithëve bashkë të angazhohemi maksimalisht që të përmbushim synimin që brenda vitit të imunizohen 60% të popullatës në grupmoshën e atyre që duhet vaksinuar.
Prandaj, le të tregohemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm për veten dhe njerëzit tonë të afërm, duke respektuar masat dhe duke u vaksinuar. Kjo është rrugëdalja.
Ju lus të gjithëve të mbani maskat, të mbani distancën fizike, të mbani higjienën dhe të shmangni grumbullimet në vendet e mbyllura, në mënyrë që ta ulim numrin e infektimeve të reja, të ruajmë jetën e secilit, të shmangim vdekjet si pasojë e Covid-19.
U jemi mirënjohës të gjithëve që kanë kontribuar e po kontribuojnë për tejkalimin e kësaj krize të rëndë shëndetësore.
Ju faleminderit.
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale
Kurti: Synimi ynë është që edhe Kosova të marrë pjesë në Eur...
“Çfarëdo që vendosim tani do llogaritet si lojë”, Sara dhe D...