KEK-u përbën bërthamën e energjisë në Kosovë dhe tejkalimi i sfidave me të cilat ballafaqohet, e që gërshetojnë ato me të cilat ballafaqohemi edhe si shoqëri, do të jetë njëri nga përcaktuesit e suksesit tonë. Kështu u shpreh Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në fillim të vizitës që i bëri sot KEK-ut bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Aty ai u mirëprit nga kryesuesja e Bordit të Përkohshëm të KEK-ut, Rrezarta Pllana, anëtarë të tjerë të këtij bordi, ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Përparim Kabashi, drejtorë të njësive prodhuese dhe punëtorë të KEK-ut.
Si ndërmarrja kryesore energjetike në vend, KEK-u bart peshën e furnizimit me energji elektrike. Viti i kaluar ishte vit i suksesshëm për këtë ndërmarrje të rëndësishme meqë kishte shënuar përmirësim të performancës së prodhimit të energjisë elektrike me mbi 6 mijë GWh . Kurse këtë vit, që në gjashtë mujorin e parë është tejkaluar plani i eksploatimit të thëngjillit me ç’rast janë nxjerrë 4.3 milionë tonë thëngjill. Furnizimi i pandërprerë dhe kualitativ i energjisë elektrike është parakusht i zhvillimit ekonomik në vend. Për këtë duhet që të garantohet menaxhim optimal i termocentraleve dhe mihjeve, dhe për të siguruar këtë Qeveria do t’i ofrojë mbështetje të plotë KEK-ut.
Të gjendur përballë sfidave ambientale, duke përfshirë këtu nevojën për dekarbonizim në nivel global, ne ballafaqohemi me nevojën për të vepruar në mënyrë të qëndrueshme duke shfrytëzuar resurset tona në përputhje me qëllimin për ta mbrojtur ambientin. Prandaj, investimet për zvogëlimin e ndotjes së shkaktuar nga termocentralet janë të domosdoshme, u shpreh kryeministri Kurti, derisa falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen e tyre në këtë drejtim. KEK-u duhet të jetë proaktiv e inovativ në mënyrë që të arrihet diversifikimi i prodhimit të energjisë duke inkuadruar energjinë e ripërtëritshme, në veçanti atë solare. Këto sfida nuk duhet assesi të dekurajojnë këtë gjigand energjetik. Përkundrazi ato paraqesin potencial për transformim pozitiv të tij dhe tranzicion të drejtë energjetik për vendin, përgjatë të cilit do ta ketë përkrahjen e Qeverisë, u zotua kryeministri Kurti.
Në përmbyllje të vizitës, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se KEK-ut më shumë se kurrë tani i duhet një udhëheqje profesionale e me integritet, dhe një atillë që ka vizion reformues por edhe aftësi për të planifikuar dhe zbatuar atë vizion. Ajo ndau njoftimin se muajve në vijim do të hapet konkursi publik për bordin e rregullt të KEK-ut dhe ftoi të gjithë profesionistët e fushës të aplikojnë, me theks të veçantë gratë të cilat fatkeqësisht deri tani kanë qenë të nënpërfaqësuara. Ngjashëm, ajo inkurajoi të gjithë profesionistët e interesuar të aplikojnë edhe për pozitën e kryeshefit ekzekutiv te KEK-ut në konkursin publik i cili vazhdon të jetë i hapur deri me 23 gusht të këtij viti. Ministrja Rizvanolli tha se Qeveria është e interesuar që të sigurojë një proces fer, profesional dhe transparent të rekrutimit në pozitat e hapura në Ndërmarrjet Publike.
Vizita që filloi në mëngjesin e sotëm përfshiu Termocentralin Kosova – A, Divizionin e Qymyrit dhe Termocentralin Kosova -B
Deklarata e plotë para mediave e Kryeministrit Albin Kurti pas vizitës në KEK:
Unë e falënderoj shumë menaxhmentin, udhëheqjen e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, punëtorët për mikpritjen që na e kanë bërë neve sot këtu si Qeveri e Republikës së Kosovës e cila e dinë, e kupton, dhe natyrisht që do të jetë shumë e kujdesshme që KEK-u të zhvillohet, të avancohet në dy drejtime kryesore. I pari është ai i furnizimit të vazhdueshëm e të sigurt me energji dhe i dyti është ai i veprimit të qëndrueshëm në mënyrë që edhe konsiderata për mjedisin të jetë edhe aktuale, edhe e planifikuar mirë.
KEK-u është një ndërmarrje publike e cila vepron me fitim, operon me bilanc pozitiv financiar dhe natyrisht që kjo është rezultat i pasurive natyrore e shtetërore të vendit tonë, por njëkohësisht edhe i faktit që KEK-u është një kapacitet funksional prodhues e zhvillues dhe është një organizatë e suksesshme e punëtorëve dhe e kuadrove të vendit tonë.
Në vitin e kaluar kemi pas performancë shumë të mirë, meqë rast janë prodhuar 6 mijë GWh apo 6 TWh energji elektrike, ndërkaq nga vizitat te mihjet mësuam që në gjashtëmujorin e parë të këtij viti është tejkaluar plani i eksploatimit të thëngjillit meqë rast janë nxjerr 4 milionë e 300 mijë tonë, pra ky tejkalim është në dritën e 8 milionë tonëve të eksploatuar që janë planifikim për vitin 2021.
Ne vëmë theksin në dy aspekte kryesore si Qeveri e Republikës së Kosovës. E para është bordi me integritet, ne kemi edhe bord të ri edhe ministre të re, pra bordi me integritet i KEK-ut në njërën anë, dhe mbikëqyrja e mirë nga ana e ministrisë dhe qeverisë në përgjithësi në anën tjetër.
Gjithashtu pamë se pajisjet janë të vjetruara, pamë se punëtorët janë të moshuar, pamë edhe mungesë të kuadrove të inxhinierëve mirëpo të gjitha këto do t’i adresojmë bashkërisht me KEK-unë në mënyrë që këto defiçienca të mbulohen në të ardhmen të kësaj kompanie gjithsesi të suksesshme.
Jemi të përqendruar edhe në faktin se KEK-u duhet të jetë proaktiv e inovativ në vitet që vijnë në mënyrë që ta bëjmë diversifikimin e prodhimit të energjisë duke inkuadruar edhe energji të ripërtëritshme ku KEK-un ne e shohim sërish shtyllë shumë të rëndësishme.
Pra energjia, në veçanti ajo solare do të jetë pjesë e portofolit të diversifikimit të energjisë ku te KEK-u ne e shohim përsëri një rol qendror.
Me këtë rast e falënderojmë edhe Bashkimin Evropian i cili qysh moti ka shprehur gatishmërinë për zbatimin e projektit të zëvendësimit të filtrave në mënyrë që të zvogëlohet ndotja dhe ne zotohemi që bashkë me direktivat e Bashkimit Evropian, me planet që ata kanë, të bëhemi pjesë e vendeve të zhvilluara të cilët e bëjnë dekarbonizimin si qëllim të tyre në mënyrë që të kemi energji, e një ditë edhe të mos kemi ndotje. Jemi të vetëdijshëm se kjo nuk bëhet përnjëherë mirëpo synimi ynë për këtë gjë është i palëkundur.
Gjatë takimit me menaxhmentin dhe me punëtorët këtu në KEK mund të them që ato fjalët që qarkullojnë se në KEK janë rrogat e larta nuk qëndrojnë, duke pas parasysh kontributin shoqëror, duke pas parasysh kushtet jo të lehta të punës, dhe duke pas parasysh rrezikun jo të vogël në punë. Pra ne do të angazhohemi maksimalisht edhe për KEK-un si organizatë e punëtorëve dhe kuadrove, edhe për KEK-un si kapacitet prodhues e zhvillues por edhe për pasuritë natyrore e shtetërore, përkatësisht për mihjet meqë rast do të bëjmë gjithçka që mundemi që t’i dalim në ndihmë kësaj korporate tejet të rëndësishme, jetike edhe për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit tonë. /arbresh.info/
Ministri Peci i “zhytur” në skandale, punësime familjare, e ...
Aktrim lidhur me ngjarjet, Gresa përplaset me Vullnetin, Dre...
Prishtina i bashkohet Paradës së Shqiptarëve në Tiranë, Veli...
Drenusha e quan Gjestin përndjekës të femrave
Siguria e Gjermanisë nuk ka prioritet për Trumpin
Dymbëdhjetë ushtarë britanikë lëndohen në një aksident trafi...