Google ADS

Maqedonia e Veriut me plan evakuimi për 75 shtetas të saj

16:00 | 16 Gusht 2021
arbresh.info

25 shtetas të RMV-së që kanë punuar në Afganistan tashmë gjenden në terminalin ushtarak, për t`u ngjitur në aeroplanin që do t`i transferojë në Doha. 25 të tjerë do ta presin fluturimin e ardhshëm, derisa 25 shtetas tjerë të Maqedonisë së Veriut janë përkujdesur në bazën amerikane dhe janë të sigurtë në pritje të transferimit të tyre.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, tha se Maqedonia e Veriut si vend anëtar i NATO-s do të pranojë refugjatë civilë nga Afganistani, kryesisht familje të të punësuarve në organizatat ndërkombëtare.

Për 75 shtetas të Maqedonisë së Veriut të cilët për kompani të ndryshme kanë punuar në Afganistan tashme ka plan për evakuim, në bashkëpunim me vende të tjera nga bota.

“Nga këto të dhëna që i kemi tani, për momentin 25 kanë hipur në avionin ushtarak për në Doha, 25 presin në listën për avionin e rradhës, ndërsa janë në aeroport dhe 25 janë në bazën ushtarake në afërsi të aeroportit dhe presin të transferohen në aeroport. Nuk kam të dhëna për qytetarë të tjerë. Nuk kemi pasur thirrje për ndihmë.”

Në lidhje me paralajmërimet se Maqedonia e Veriut do të pranojë edhe refugjatë afganë, Osmani për momentin nuk dëshironte të kalkulojë me shifra, por pohoi se Maqedonia e Veriut, si partnere e forcave të NATO-s në Afganistan nga viti 2002 dhe anëtare e Aleancës nga viti i kaluar, do të pranojë civilë.

“Ne kemi ofruar në Maqedoninë e Veriut të vendosen dhe të shpërndahen civilë afganë që janë pjesë e stafit lokal të agjencive të caktuara ndërkombëtare dhe organizatave në Afganistan. Ata do të pranohen në RMV, statusi i tyre do të zgjidhet në bazë të mekanizmave juridike të brendshme dhe të drejtës ndërkombëtare, para së gjithash duke u bazuar në të drejtën humanitare. Nuk mund të kalkuloj me shifra. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka kërkuar për gjashtë persona, kryesisht gra dhe fëmijë të të punësuarve në Kombet e Bashkuara në Kabul, të pranohen në RMV dhe presim të arrijnë.”

Pas informacioneve të para për pranimin e refugjatëve nga Afganistani, Komuna e Karposhit duhej të sqaronte se në afërsi të fshatit Bardovcë nuk po ndërtohet qendër për refugjatë, por qendër pranimi që është larg fshatit. Kjo vjen pas reagimeve të popullatës lokale që kundërshtojnë ndërtimin e kampit të migrantëve. Reagime të këtilla kishte edhe në të kaluarën, pas valës së refugjatëve nga Siria, të cilët, megjithatë, vendosën të mos mbeten në Maqedoni. /KlanMacedonia/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme