OKB u bën thirrje talebanëve dhe palëve në Afganistan për vetëpërmbajtje dhe të mbrojnë civilët

11:26 | 16 Gusht 2021
V. S.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se ka “shqetësime të thella” nga zhvillimet në Afganistan dhe u bëri thirrje talebanëve dhe palëve të tjera për vetëpërmbajtje dhe të mbrojnë civilët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Zyra e zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, tërhiqet vëmendja se vazhdojnë të vijnë lajme që konfliktet kanë detyruar mijëra persona të braktisin shtëpitë e tyre dhe për shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

Guterres bëri të ditur se ka shqetësime kryesisht për situatën e fëmijëve femra dhe të grave në Afganistan dhe se duhet të mbrohen të drejtat që janë fituar me vështirësi. Ai u bëri thirrje talebanëve dhe palëve të tjera për vetëpërmbajtje dhe të mbrojnë civilët.

Në thirrjen e tij për respektimin e të drejtës ndërkombëtare humanitare si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive, Guterres vuri theksin se është rritur edhe nevoja për ndihmat humanitare dhe se palët duhet të lejojnë qasje pa pengesë të ndihmave.

Në anën tjetër Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nesër do të zhvillojë mbledhje emergjente pasi talebanët morën nën kontroll administratën në Afganistan.

– Procesi i dominimit të talebanëve në vend

Në kuadër të marrëveshjes së paqes të arritur në shkurt 2020 mes SHBA-së dhe talebanëve, këtë vit filloi procesi i tërheqjes së forcave ndërkombëtare nga Afganistani.

Teksa marrëveshja parashikon që forcat e huaja të mos sulmohen, ajo nuk parashikon ndonjë dispozitë në lidhje me veprimet e talebanëve ndaj forcave afgane të sigurisë.

Talebanët të cilët vazhdojnë negociatat në Doha me qeverinë afgane, me sulme të ashpra të ndërmarra në mënyrë të njëkohshme që nga qershori dominuan me shpejtësi shumë rajone dhe qendra provinciale në muajin e fundit.

Po ashtu talebanët rrethuan kryeqytetin Kabul dhe teksa filluan të marrin nën kontroll lagjet periferike ata bënë thirrje për të marrë në dorëzim në mënyrë paqësore qeverinë dhe kryeqytetin.

Me largimin e presidentit Ashraf Ghani nga vendi dhe me largimin e forcave qeveritare nga kryeqyteti, talebanët filluan të marrin nën kontroll të gjithë qytetin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme