Shtetet perëndimore janë duke përshpejtuar përpjekjet për të larguar stafin e ambasadave të tyre në Kabul, teksa talibanët kanë hyrë në periferi të kryeqytetit afgan, pasi kanë marrë kontrollin e shumicës së territorit të Afganistanit.
Zyrtarët amerikanë janë cituar të kenë thënë më 15 gusht se diplomatët po evakuohen me helikopterë nga Ambasada amerikane dhe po dërgohen për në aeroport.
Mediat kanë raportuar se helikopterët janë parë duke fluturuar nga Ambasada amerikane, si dhe janë parë edhe automjete të blinduara.
Zyrtarët e Ambasadës amerikane janë udhëzuar që të shkatërrojnë materialet e ndjeshme, por edhe gjëra të tjera, siç është logoja e ambasadës, flamujt amerikanë ose edhe gjëra të tjera që “mund të përdoren për propagandë”, tha CNN, duke cituar një njoftim që i është dërguar punonjësve të ambasadës.
Kontingjenti i parë prej 3.000 trupave amerikane arriti në Kabul më 13 gusht për të ndihmuar në evakuimin e stafit dhe sigurinë e aeroportit. Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby ka thënë se do të dërgohen edhe trupa shtesë në mënyrë që “mijëra persona” brenda ditës të mund të tërhiqen nga Afganistani.
Britania, Gjermania, Italia dhe shtete të tjera evropiane po ashtu kanë përshpejtuar përpjekjet e tyre për të evakuuar diplomatët dhe punonjësit e tjerë të ambasadave të tyre. Por, zyrtari i Ministrisë së Jashtme ruse, Zamir Kabulov tha se Moska nuk ka plane të tilla.
Ai tha për mediat ruse se ishte në “kontakt të drejtpërdrejtë” me ambasadorin rus në Kabul dhe se punëtorët e ambasadës ruse po vazhdojnë të punojnë “me qetësi”.
Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, talibanët kanë garantuar siguri për misionin rus.
Kjo agjenci citoi një zëdhënës të zyrës politike të talibanëve në Katar të thotë se organizata ka “raporte të mira me Rusinë” dhe “politika në përgjithësi është që të sigurohen kushte sigurie për funksionimin e misionit rus dhe misioneve të tjera”.
Ndërkaq, mediat në Brtiani kanë raportuar se ambasadori britanik në Afganistan është evakuuar përmes ajrit, pas frikës se talibanët do ta merrnin menjëherë nën kontroll aeroportin.
Një avion i Forcave Mbretërore Ajrore raportohet se ka evakuuar diplomatët dhe civilët më 14 gusht.
Javën e kaluar, autoritetet britanike thanë se 600 trupa janë dërguar në Kabul për të evakuuar rreth 3.000 shtetas britanikë dhe 2.000 afganë të cilët kanë punuar me forcat britanike.
Ndërkaq, mediat gjermane kanë raportuar se Gjermania ka dërguar avionë transportues ushtarakë për të tërhequr stafin afgan që ka punuar në Ambasadën gjermane.
Ndërkaq, shumica e personelit të Ambasadës italiane në Kabul raportohet se po transferohet për në aeroportin e Kabulit, në pritje të evakuimit. Gazeta Corriere della Sera ka raportuar se rreth 50 punonjës italianë dhe 30 punëtorë afganë dhe familjet e tyre, së bashku me trupat italiane do të evakuohen.
Suedia po ashtu do të evakuojë stafin e ambasadës së saj, ka raportuar radioja shtetërore./REL/
Policia arreston tre persona të kërkuar me urdhëresë të Gjyk...
Gjyqtarët kosovarë delegohen për ndeshjen e UEFA Youth Leagu...
Kurti mirëpriti arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovë...
Tërmet në Japoni, sa ishte magnituda
Kombëtarja e Kosovës nis përgatitjet për miqësoret ndaj Esto...
Për çfarë Sara po e akuzon Gjestin se i mori?