Bullgaria ndodhet para zgjedhjeve të reja parlamentare, të tretat brenda këtij viti, pasi siç duket asnjëra parti politike nuk do të formojë qeverinë e re. Kjo situatë reflektohet në Maqedoninë e Veriut, e cila pret një stabilitet politik në Sofje për vazhdimin e bisedimeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me gjuhën dhe identitetin si dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.
Bullgaria në nëntor të vitit të 2020 si shtet anëtar i Bashkimit Evropian, përdori veton duke e kushtëzuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Shkuarja e këtij vendi në zgjedhjet e treta parlamentare do të bënte pothuajse të pamundur që këtë vit Maqedonia e Veriut të shpresojë në zgjidhjen e dallimeve dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në.
“Fatkeqësisht, lajmet që vijnë nga Bullgaria, për sa i përket ndërtimit të institucioneve, nuk janë inkurajuese. Është e qartë se duhet qeveri politike dhe institucione politike që të mund të kalohet në zgjidhjen e dallimeve, që janë arsyeja e këtij bllokimi joparimor të perspektivës tonë evropiane. Ne prisnim që në këto zgjedhje të dalin institucione, në mënyrë që ne të mund të komunikonim dhe të gjejmë një zgjidhje”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani.
Ai megjithatë ka thënë se Maqedonia e Veriut mbetet e vendosur për të vazhduar bisedimet, por edhe me reformat e brendshme në pjesën e integrimeve evropiane.
Para nesh, ka thënë kryediplomati Osmani, është edhe Samiti i BE-së më 6 tetor, nën drejtimin e Presidencës sllovene, që sipas tij, paraqet mundësi për të përçuar mesazhin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Simonida Kacarska, drejtore e Institutit për Politikë Evropiane, nuk beson se ndonjë qeveri teknike do të merrte guximin për të arritur ndonjë marrëveshje për kontestet mes shteteve, në veçanti me Maqedoninë e Veriut.
“Është më se e qartë se qeveria teknike nuk ka guxim të marrë ndonjë vendim për këtë çështje dhe gjithmonë këtë problem ia ka kaluar qeverisë politike, që ka mandatin për marrjen e vendimeve të tilla. Se a do të ndodhë diçka në samitin e BE-së në tetor, varet nga gjendja në Bullgari nëse do të ketë qeveri të zgjedhur. Deri më tani këtë nuk e kemi parë, por besoj se ndoshta në fund do të arrijë pala bullgare të tejkalojë vetveten dhe të pranojë një marrëveshje që do të heqë bllokimin e integrimit evropian të vendit tonë”, thotë Kacarska.
Ismet Ramadani, drejtues i Këshillit Euroatlantik thotë se pa kompromis nuk mund të ketë zgjidhje të problemit edhe pse sipas tij te pala maqedonase vështirë se do të ketë ndonjë qeveri, e cila do të pranonte bisedime për çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin.
“Me vija të kuqe nuk zgjidhen problemet, nuk zgjidhen konfliktet politike, pasi ne edhe ashtu duhet të kapërcenim vijën e kuqe që vendosi Bullgaria që të mund të fillonim bisedimet me BE-në. Pa kompromise nuk zgjidhen problemet. Mundësisht, në krejt këto bisedime të krijohet një bindje se dy shtetet, dy popujt kanë arritur një zgjidhje që kënaq interesat e dy shteteve për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes tyre”, ka deklaruar Ramadani.
Bullgaria e më pas edhe Maqedonia e Veriut kanë miratuara nga një rezolutë në parlamentet e tyre për vijat e kuqe, që nënkuptojnë moslëshimin pe nga kërkesat e tyre.
Sofja kërkon që maqedonasit të pranojnë se identiteti i tyre dhe gjuha kanë prejardhje bullgare apo se deri para vitit 1945 kanë qenë një popull. Këto pretendimet kundërshtohen nga pala maqedonase, e cila disa herë ka bërë të ditur se për çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin nuk do të bisedonte as me çmimin e integrimit evropian. /telegrafi
Sot mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimi...
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...