Marrëveshja e Ohrit i ka vendosur rregullat e reja të kohezionit shoqëror dhe funksionimit më të mirë ndëretnik, i cili ishte themeli më i fortë dhe më solid mbi të cilin e transformuam dukshëm shoqërinë tonë multietnike, multikonfesionale dhe multikulturore, tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në fjalimin në akademinë solemne me rastin e shënimit të 20-vjetorit nga nënshkrimi i marrëveshjes.
“Qëndruam fortë dhe siç thashë, u transformuam si shoqëri, maturuam si politikanë, si qytetarë, na u hapën horizontet dhe arritëm të shohim pikturën e madhe, para të cilës qëndrojmë bashkë të gjithë, me një qëllim të përbashkët të qartë para nesh – dhe ky është, Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë rrëfim i suksesshëm për një demokraci parlamentare të avancuar, bashkëkohore, tani më vend-anëtar i plotfuqishëm i NATO-s, me shpresë së shpejti edhe anëtar i familjes së madhe evropiane, por mbi të gjitha, shtëpi e të gjithë pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme etnike, fetare, kulturore, shtëpi e të gjithë qytetarëve! Në këtë rrugëtim, kemi mbështetjen e parezervë nga miqtë dhe partnerët tanë strategjik ndërkombëtarë të cilët ishin pranë nesh dhe e ndihmuan konceptimin dhe arritjen e paqes me një dialog politik të hapur dhe të drejtpërdrejtë, dhe janë pranë nesh edhe tani kur i gëzojmë rezultatet e domosdoshmërisë, fuqisë dhe efektivitetit të Marrëveshjes së Ohrit”, tha Xhaferi.
Marrëveshja e Ohrit, tha ai, e ndryshoi të ardhmen e vendit tonë, njëherazi ishte edhe udhërrëfyesi ynë më i mirë për sigurimin e stabilitetit, qëndrueshmërisë dhe dialogut konstruktiv, ishte edhe sfidë në vete, e cila mundësoi që Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë një storje suksesi e cila është shembull, jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjerë.
“Kjo është marrëveshje e cila mundësoi hapësirën për trajtimin e çështjeve që kishin të bëjnë me respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve, përfaqësimin e drejtë dhe përkatës, përfshirjen në vendimmarrjen politike dhe atë institucionale dhe implementimi i saj ndikoi në rritjen e vetëdijes qytetare në drejtimin se kontributi i çdo qytetari në këtë vend është i barasvlershëm dhe se për një bashkëjetesë të vërtetë, impenjimi i gjithsecilit është një kontribut në më se i çmuar dhe i mirëpritur. Themelimi i Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Kuvend, zyrtarizimi i Universitetit të Tetovës, themelimi i Universitetit Nënë Tereza, i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Agjencia për Zbatimin e Gjuhës, Inspektorati, emërtimi i rrugëve tona me përfaqësues të denjë të gjitha komuniteteve në vend dhe një sërë institucionesh tjera ekonomike, kulturore e të tjera janë realitete që janë rezultat i pajtimit, respektimit dhe bashkëpunimit ndëretnik” u shpreh Xhaferi.
Ai shtoi se fakti ju drejtohet shqip është realitet dhe shenjë se kemi për çka të jemi krenarë, por, assesi të konsiderojmë se e kemi mbaruar detyrën e shtëpisë, sepse, siç thotë edhe motoja e vetë manifestimit – PËRTEJ OHRIT, procesi vazhdon, sfidat nuk shteren dhe rrugëtimi ynë si shtet do të rrumbullakohet atëherë kur të përmbushim edhe përcaktimin dhe qëllimin tonë të dytë strategjik si vend, respektivisht, pas anëtarësimit të plotfuqishëm në Aleancën e NATO-s.
“Të fillojmë edhe negociatat me Bashkimin Evropian, pas përcaktimit të datës për mbajtjen e seancës së parë ndërqeveritare të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Dhe, përsëri, asgjë nuk përfundon këtu! Kujdesi dhe sigurimi i të drejtave dhe lirive, natyrisht edhe përmbushja e obligimeve të çdo një qytetari në vend mbetet tani e përgjithmonë. prioriteti i parë, i dytë dhe i fundit i të gjithëve ne!”, tha Xhaferi në fjalimin e tij me rastin e shënimit të 20-vjetorit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.
Policia kërkon ndihmë në gjetjen e një gruaje të dyshuar për...
Çitaku: PDK do ta padisë për shpifje deputeten e VV-së
Goditet nga vetura një grua në Prizren, dërgohet në gjendje ...
Kurti vendos gurthemelin për ndërtimin e Shkollës së Mesme P...
Arrestohen tre persona në Pejë, për vepra të ndryshme penale
Vrasja e të riut nga Peja në SHBA, reagon motra e viktimës: ...