Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka kërkuar presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, që të përdorë fuqinë e tij për të siguruar lirimin e Austin Tice, një gazetar amerikan i rrëmbyer nëntë vjet më parë.
“Ne besojmë se Bashar al-Asad ka fuqi që të sigurojë lirimin e Austin. Unë personalisht jam i angazhuar për të kthyer në shtëpi të gjithë amerikanët që mbahen peng ose janë ndaluar padrejtësisht jashtë vendit”, tha Blinken përmes një deklarate.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë ndihmën e zyrtarëve sirianë për gjetjen e gazetarit Tice dhe amerikanëve të tjerë të zhdukur.
Tice u zhduk pasi u arrestua në një pikë kontrolli pranë Damaskut më 14 gusht 2012. Ai ishte fotoreporter i pavarur që punonte për Agjencinë France-Presse, McClatchy News, The Washington Post, CBS dhe media tjera.
Një muaj pas zhdukjes ai u shfaq me sy të lidhur duke u mbajtur nga një grup i paidentifikuar i njerëzve të armatosur. Që nga ajo kohë nuk ka më informacione për fatin e tij.
Vitin e kaluar, administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump dërgoi një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë në Damask për të kërkuar lirimin e Tice dhe Majd Kamalmaz, një mjek siriano-amerikan i cili u zhduk në një pikë kontrolli në shkurt të vitit 2017.
Misioni nuk dha asnjë rezultat.
Thirrjet amerikane bëhen pavarësisht mungesës së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Sirisë.
Uashingtoni ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të izoluar Asadin. Forcat qeveritare të tij kanë rimarrë kontrollin e shumicës së territorit pas një lufte të përgjakshme civile.
Më shumë se 380.000 njerëz kanë vdekur dhe miliona të tjerë janë zhvendosur në luftën që ndihmoi në krijimin e grupit ekstremist të Shtetit Islamik dhe shkaktoi një krizë migracioni në vendet e Bashkimit Evropian. /Rel
Anisa ka një kërkesë për Drilonin, ky e refuzon
“Bixhoz me partnerët”, Konjufca për Osmanin: Mund të përdort...
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...
Arrestohet personi që vodhi automjetin që u përdor në atenta...
Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e fshatit Kopanky të...
Trajneri i Empolit flet për largimin e mundshëm të Ardian Is...