Google ADS

Zjarre të mëdha edhe në Algjeri, deri tani shtatë viktima

16:03 | 10 Gusht 2021
A. B.

Së paku shtatë persona kanë vdekur nga zjarret në pyje në Algjeri, njoftoi të martën autoriteti i mbrojtjes civile.

Radiostacioni shtetëror raportoi se disa shtëpi janë shkatërruar plotësisht nga flakët, ndërsa gazeta “al-Bilad” raportoi se shkollat në provincën Tizi Ouzou janë duke pranuar njerëz të zhvendosur.

Kjo gazetë shkroi se civilët janë paraqitur si vullnetarë për t’i ndihmuar ekipet e mbrojtjes civile, të cilat janë duke luftuar me zjarret nga e hëna, shkruan Al Jazeera.

Së paku 19 zjarre kanë shpërthyer në 14 provinca të shtetit të Afrikës Veriore.

Ndryshe, me zjarre po përballen edhe disa shtete në Evropë, Azi e në Amerikën Veriore.

Greqia dhe Turqia kanë shënuar viktima, përpos dëmeve të mëdha materiale dhe djegies së mijëra hektarëve me pyje.

Reshjet e shiut sollën lehtësim për disa pjesë të Turqisë, por 5.000 zjarrfikës vazhduan të luftojnë kundër zjarreve për ditën e njëmbëdhjetë radhazi.

Me zjarre në natyrë po përballet edhe Rusia, ku raportohet për mbi 250 vatra aktive. Rajoni më i prekur është Siberia.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme