Gjermania pritet t’i bëjë me pagesë testet për COVID-19

09:17 | 10 Gusht 2021
V. S.

Para samitit të landeve me federatën gjermane sot, sipas një drafti që qarkullon në media, pritet që t’u jepet fund në masë të madhe testeve falas nga tetori. Me këtë mendohet të rritet presioni ndaj të pavaksinuarve.

Siç kanë njoftuar disa media gjermane, të cilat i referohen një drafti para samitit të Coronës të martën (10.08), “nuk argumentohet më për të gjithë testimet marrja përsipër e shpenzimeve nga federata dhe me këtë nga taksapaguesit”. Për të gjithë ndërkohë ka një ofertë vaksinimi. Prandaj federata do t’i japë fund testeve të shpejtë për Coronën. Nuk është përcaktuar një datë e saktë në draftin përkatës. Flitet vetëm me “efekt në tetor 2021”. Data e saktë do të përcaktohet.

Burri nga Fushë Kosova e tërheq për flokësh të fejuarën
Megjithatë, sipas vendimit që pritet të merret të martën, testet do të ofrohen ende falas për ata që nuk mund të vaksinohen ose për të cilët nuk mund të jepet një rekomandim i vaksinimit. Si shembuj përmenden gratë shtazëna dhe minorenët nën moshën 18 vjeç. Më tej theksohet në këtë dokument, se testet falas kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në thyerjen e valës së tretë të pandemisë në Gjermani.

Të pavaksinuarit kërcënohen nga kufizime në jetën publike

Në tërësi federata dhe landet duan të rrisin presionin ndaj të pavaksinuarve. Që në gusht do të zbatohet rregulli i treshes – që do të thotë, se lejohet qasja në jetën shoqërore për të vaksinuarit, të testuarit negativisht apo të shëruarit. Kush nuk është i vaksinuar apo shëruar së fundmi nga COVID-19 do të hyjë në spitale, qendra kujdesi për të moshuarit, meshë fetare, palestra sportive, hotele, gastronominë brenda vetëm duke paraqitur një test negativ. Një test i shpejtë antigjen nuk duhet të jetë më i vjetër se 24 orë, një test PCR jo më i vjetër se 48 orë.

Landet mund ta shfuqizojnë rregulloren, nëse shifrat e infektimeve janë të ulta shtatë ditë dhe “nuk pritet një rritje e infektimeve pas shfuqizimit të rregullit.” Sipas vendimeve që pritet të merren në samitin e së martës, do të mbeten në fuqi masat bazë të mbrojtjes për të gjithë popullatën si detyrimi i maskës në supermarkete apo dyqane dhe në qarkullimin urban. Çdo katër javë do të verifikohen këto masa.

Rritja e incidencës në shkallë federate

Ndërkohë në Gjermani është rritur lehtë incidenca shtatëditore në infektimet e reja në 23,5. Sipas Institutit Robert Koch brenda 24 orësh të martën (10.08) janë shënuar 2480 infektime të reja si edhe 19 raste vdekjesh në lidhje me virusin. Para një jave incidenca ishte 17,9.

Në takimin e së martës mes kancelares Merkel dhe krerëve të landeve gjermane do të diskutohet edhe për strategjinë e mëtejshme në luftë kundër pandemisë si edhe për mbështetjen financiare të zonave të prekura nga katastrofa e përmbytjes në korrik./DW/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme