Zyrtarët kryesorë amerikanë të shëndetësisë ngritën sërisht shqetësimin të dielën lidhur me përhapjen në rritje të variantit Delta të koronavirusit në të gjithë vendin. Paralajmërimi vjen mes thirrjesh në rritje që vaksinimi të bëhet i detyrueshëm.
“Po ndodh diçka e keqe dhe ne duhet ta kuptojmë këtë“, tha për rrjetin televiziv NBC, Dr Anthony Fauci, këshilltari kryesor i Presidentit Joe Biden, për çështje të mjekësisë. Ai tha gjithashtu se nuk pret që vaksinimi të bëhet i detyrueshëm në nivel kombëtar.
Por sipas zotit Fauci sapo Administrata e Ushqimit dhe Barnave të japë autorizimin e plotë për përdorimin e vaksinave kundër koronavirusit, gjë që mund të ndodhë ndoshta në javët e ardhshme, ai tha se do të mbështesë fuqimisht vendimet e universiteteve, bizneseve apo çdo sipërmarrjeje lokale për ta bërë vaksinimin e detyrueshëm.
Sipas të dhënave zyrtare më shumë se 166 milionë amerikanë janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, ose më pak se gjysma e popullsisë, në një kohë kur nuk është dhënë ende autorizimi për vaksinimin e fëmijëve më të vegjël se 12 vjeç. Vaksinimet filluan dhjetorin e kaluar pas marrjes së autorizimit nga entet rregullatore amerikane për përdorimin e tyre në raste urgjence, ndërsa vazhdon shqyrtimi për autorizimin e plotë të tyre.
Edhe pse numri i rasteve me koronavirus është rritur në Florida dhe Teksas, dy shtete me një numër të madh infeksionesh, guvernatorët e tyre që përfaqësojnë partinë republikane, respektivisht Ron DeSantis dhe Greg Abbott, vazhdojnë të kundërshtojnë me vendosmëri vaksinat apo vendosjen e maskave, duke thënë se ato shkelin liritë që gëzon çdo individ.
Senatori i Floridës Rick Scott e mbështeti vendimin e zotit DeSantis, duke i thënë për rrjetin televiziv “Fox News”, “se ne nuk mund të jetojmë sërish me frikë dhe se njerëzit duhen lenë t’i marrin vetë vendimet”.
Por guvernatori republikan Asa Hutchinson i Arkansas, një shtet me një nivel të ulët vaksinimesh dhe me një numër në rritje infeksionesh, i tha rrjetit televiziv CBS News, se ai kishte gabuar në fillim të këtij viti duke nënshkruar në ligj, një urdhër për ndalimin e maskave.
Çdo ditë më shumë se 100,000 amerikanë po infektohen për shkak të variantit delta të koronavirusit, një rritje me 10-fish në javët e fundit.
Zoti Fauci e ka cilësuar situatën si “pandemia e të pavaksinuarve”.
Të dhënat tregojnë se vaksinat ekzistuese të disponueshme në SHBA janë efektive kundër variantit delta. Por zoti Fauci paralajmëroi se nëse situata nuk mbahen nën kontroll, varianti delta mund të pësojë mutacione të reja, që mund t’i bëjnë vaksinat joefektive./voa/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...