Google ADS

Kosova i shkruan autoriteteve serbe për kthimin e artefakteve që po mbahen padrejtësisht në Serbi

14:07 | 8 Gusht 2021
Përparim Bublaku

Në luftën e fundit të vitit 1998-99 në Kosovë, Serbia përpos shfarosjes së popullatës shqiptare mori peng një pjesë të trashëgimisë të artefakteve me rëndësi historike e morale për Kosovën, shkruan arbresh.info.

Numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padrejtësisht në Serbi është 1247, e tash e 22 vite pas luftës akoma nuk ka shenjë nga to.
Një nga këto artefakte të marra nga Serbia është edhe mbishkrimi me emrin “Andi”, që daton nga shekulli i I’rë, e i cili qëndronte në Hamamin e Vushtrrisë.
Izet Myftari, doktor i shkencave të historisë nga Vushtrria, për arbresh.info rrëfeu se ky artefakt gjendet në Beograd pasi që u morë nga serbët në luftën e fundit në Kosovë.

“Në këtë hamam ka qenë një mbishkrim më emrin ‘Andi’ dhe ai mbishkrim bazohet se ka qenë i shekullit I. Atë mbishkrim e kanë marr nga serbët dhe ai mbishkrim gjendet në Beograd tashmë dhe jo këtu”.
Muzeu i Kosovës brenda tij mbanë arte fakte të rëndësishme të kulturës sonë shqiptare.

Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexhaj për arbresh.info, rrëfeu në detaje se sa prej këtyre artefakteve mungojnë dhe ku gjenden sot ato.
“Ne nuk i kemi në Kosovë e që janë pronë e shtetit të Kosovës dhe ai është një numër mbi 1250 afërsisht janë diku 646 arkeologjike apo plus minus dhe etnologjike që janë marr me dokumentacion dhe sot e atë ditë mbahen të burgosura në Serbi, në Beograd dhe nuk janë kthy, e kjo është problem që kemi një pasuri tonën të mëhershme të 1960-ës, deri në vitet 99, dhe quhen në botimet që botohen në aso kohë ne ish-Jugosllavi, ‘Ari i Kosovës’ ”, tha Rexhaj.

Ndërhyrjet e shumta si të jashtme të brendshme madje edhe mos balanca e institucioneve tona Rexhaj tha se ka mbetur pa konkretizimin e kthimit të këtyre artefakteve nga Serbia.
I vetmi artefakt që u kthye në 2002 është “Hyjnesha në Fron”, por që u soll pa dokumentacion.

Padrejtësitë e bëra ndër vite nga Serbia, janë shënjuar dhe po vazhdojnë të mbesin plagë në çdo cep të Kosovës.

Rexhaj tutje tha se Serbisë duhet t’i bëhet presion politik dhe të jetë një nga kushtet kryesore që këto arte fakte të kthehen në origjinën e vetë.
“Unë mendoj që çështja e pasurisë arkeologjike edhe etnologjike apo etnografike që gjendet sot në Beograd padrejtësisht që i then edhe konventat ndërkombëtare si të IKROM, IKOMOS, Këshillit të Evropës apo të UNESCO-së, rregulloret aktet normative edhe ligji jonë janë pasuri e Kosovës dhe duhet të jetë njëra prej pikave politike në këto bisedimet që do të zhvillohen normalisht teknike politike. Nuk e besoj që pa presion Serbia t’i kthej ato, sepse nëse do të ishte ashtu, në këto 13 vitet e fundit i kishin kthy deri më tani”, tha Rexhaj.

Për këtë çështje arbresh.info ka marrë përgjigjeje edhe nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ku është thënë se kjo çështje është ngritur në nivel institucionale dhe se i është drejtuar letër direkt Muzeut në Beograd.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka ngritur këtë çështje në nivelin më të lartë institucional, ku Drejtori i Muzeut të Kosovës si udhëheqës i institucionit përgjegjës për Trashëgimi të Luajtshme, me mbështetje të plotë të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporti, dhe Ministres së Punëve të Jashtme, i është drejtuar me një letër publike Muzeut Kombëtar në Beograd, Muzeut Etnografik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve me kërkesën për kthimin e artefakteve tona që vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Serbi. Gjithashtu me rastin e promovimit të narracionit të Ekspozitës Arkeologjike në Muzeun e Kosovë, me përfaqësim nga niveli më i lartë i Republikës së Kosovë, publikisht përmes mediave Kryeministri dhe Ministri kanë bërë apel tek organet me te larta shtetërorë të Serbisë për kthimin e fondit muzeor në vendin e origjinës”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Sipas Rexhajt nuk ka argumente që shqiptarët të kenë marr artefakte në periudhat si lufta e fundit, por që ka pasur tendenca.

“Dokumentacion argument nuk kemi që shqiptarët por flitet që në periudhat para lufte gjatë luftës edhe pas luftës ka pasur tendenca por nuk kemi argument sepse me pas na do e ndjekim juridikisht por ka raste kur edhe kanë tentua por deri sa nuk vërtetohet mbetet vetëm thashetheme”, tha Rexhaj.

Rexhaj falënderoi qytetarët e Kosovës që tash e sa vite u kanë ndihmuar qoftë me kthimin e artefakteve gjetjen e tyre e madje edhe pengimin e personave jo adekuat për ti shtir në dorë ato.

“Dje kam pas rastin kur qytetarët në 98% të rasteve ka ndodhë edhe më herët ata të cilët e kanë përcjell trashëgimin, që i falënderoj se janë ruajtësit ma të mirë dhe mbrojtësit më të mirë të trashëgimisë, na lajmërojnë, lajmërojnë personat përgjegjës edhe gjetjet i dorëzojnë, ka ndodhur që tendencat për gërmime pa leje na kanë lajmërua qytetarët dhe ne kemi dalë i kemi ndalë”

Pa dyshim që themeli i Kosovës qëndron në ruajtjen me fanatizëm të artefakteve kulturore të përcjelluara për vite e shekuj me radhë, qëndresa dhe ideali shqiptarë gjendet i gdhendur në këto artefakte kulturore./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme