Hamami i Vushtrrisë, vendi ku u mor mbishkrimi që besohet se i takon shekullit të I’rë

12:02 | 8 Gusht 2021
Përparim Bublaku

Është i vjetër sa vetë qyteti ku gjendet.

I ftohtë në pamje të parë por gurët e kthinat e vogla janë shenjë se në këtë vend është gdhendur një histori e tërë.

Është ky hamami i Vushtrrisë që bartë në vete një legjendë të tërë.

Pastrimi dhe përgatitja e vajzave para kanagjeqit është vetëm një nga ritet që janë kryer në këtë objekt të vjetër, fillon rrëfimin, Izet Myftari, doktor i shkencave të historisë nga Vushtrria.

“Ky hamam ka qenë deri vonë në funksion. Në këtë hamam vajzat pak para martesës para kanagjeqit i kanë pru këtu i kanë pastru. Edhe qunat e vegjël para synetisë i kanë pru këtu i kanë pastru dhe ky rit ka qenë deri kur u mbyll”.

Veçantia e tij nuk mjafton me kaq.

Në këtë banjë termike që fillon nga paradhoma, dhoma e zhveshjes e deri të dy banjot, ditët për pastrim ishin të ndara.

“Në këtë hamam në atë periudhë janë pastruar një ditë gra, e një ditë burra”.

E ndonëse figuron si objekt qysh nga shekulli i XV, enigma për ndërtimin e tij e pastaj edhe për destinim e hamamit që njihet si Hamami i Gazi Ali Beut është e madhe.

Ndërtimi e kupolat e tij, vënë në dyshim se mijëra vite më parë ky objekt ka shërbyer edhe si kishë.

“Hamami është objekt oriental ka qenë banjo publike. Kjo figuron që nga shekulli i pesëmbëdhjetë (XV). Me ndikimin e fes ky objekt është përshtatur si një kishë në një periudhë të lashtë. Se a ka qenë më të vërtet banjo apo kishë mbetet të zbulohet përmes një gërmimi”.

Ashtu si pothuajse shumica e objekteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë, edhe ky objekt është tentuar nga pushtuesit serbë që i ndërrohet identiteti, thotë historiani Myftari.

“Në këtë hamam ka qenë një mbishkrim më emrin ‘Andi’ dhe ai mbishkrim bazohet se ka qenë i shekullit I. Atë mbishkrim e kanë marr nga serbët dhe ai mbishkrim gjendet në Beograd tashmë dhe jo këtu”.

E problemet e ndryshme kanë bërë që ky objekt me një vlerë të madhe të mbetet i mbyllur për vizitorë si shkak i mos restaurimit të tij brenda.

E deri në ditën kur ky monument do të jetë i aksesueshëm, vizitorëve ju mbetët të shijojnë arkitekturën tejet të veçantë që ky monument ka nga jashtë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme