Nikaj: Asnjëherë nuk kam qenë pjesë e PDK-së

00:36 | 7 Gusht 2021
Trina Galanxhi

Anëtari i ri i kryesisë së re të Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, ka bërë të ditur se edhe pse i është bashkuar sot kësaj partie do të punoj shumë që ta qojë përpara vizionin e ri të tyre.

“Nuk kam qenë më parë në Partinë Demokratike të Kosovës, por kam një historik të punës me persona qe kanë qenë janë e nuk janë më në PDK. Unë kam mbajtur pozita publike edhe më parë në Kosovë dhe nuk është se kam qenë i panjohur por kam qenë ambasador dhe kam punuar ngushtë me ish-presidentin Thaçi dhe zonjën Vlora Çilaku, me Uran Ismailin jemi rritur bashkë dhe nuk është se kemi qenë të panjohur por angazhimi politik ka ardhur natyrshëm në formimin e versionit të ri të kryetarit të ri të PDK-së, Memli Krasniqi”.

Nikaj në Edicionin Special në Klan Kosova tregoi më shumë se pse vendosi që tani t’i bashkohet PDK-së.

“Tani ka qenë momenti dhe fillet e ndërtimit të një programi dhe kryesie të re dhe të krijoj një alternativë të re për vendin e ky besoj është momenti kur duhet të kyçem në parti dhe politikë. Është shumë herët që unë të jap vlerësime për partinë, por, ajo që mund të them është se e kam gjetur një ambient shumë mikpritës dhe kam gjetur burra e gra që ishin shumë entuziastë për fillimin e një rruge të re të gjithë së bashku”.

Mes tjerash Nikaj theksoi se me punë dhe angazhim do ta kthejnë PDK-në në krye të vendit, aty ku ka qenë.

“PDK-ja jo vetëm me kryesinë e re, por edhe me kandidatët e komunave, deputetët dhe të gjithë ata që punojnë për një vizion të ri synon të kthehet aty ku ka qenë. Por, duhet bërë punë që të arrihet ky synim – pasi në frymën e rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit ka ndryshuar edhe koncepti dhe vizioni i partisë për tu kthyer aty ku ka qenë. Se sa kohë do të marrë kjo mbetet të shihet por ne nuk do të kursehemi që t’i bindim qytetarët që ne jemi të duhurit për ta”, theksoi Nikaj.

Tutje Nikaj foli edhe për dorëheqjet e fundit brenda PDK-së.

“Dorëheqjet janë pjesë e konsolidimit të partisë, dorëheqja e tij sot ka qenë pjesë e konsolidimit dhe diskutimeve mes kryetarit Krasniqi dhe Hoxhajt. Pakënaqësitë janë pjesë normale të proceseve të tilla por besoj se ne do të punojmë që të punojmë drejtë atyre pakënaqësive dhe ta vërtetojmë se ato pakënaqësi nuk kanë vend”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme