Sot kryetari i Kuvendit të Maqedonisë do të shpallë datën për zgjedhjet lokale

10:08 | 6 Gusht 2021
S D

Kryetari i Kuvendit sot shpall datën e zgjedhjeve lokale. Raundi i parë do të mbahet më 17 tetor. 30 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve bëhet propozimi i listave për këshilltarë komunal dhe këshilltarë në Kuvendin e Qytetit të Shkupit, ndërsa nga 27 shtatori fillon fushata zgjedhore.

Derisa vendin e ndajnë 48 orë nga periudha zgjedhore, në Kuvend janë ngrirë negociatat për Kodin Zgjedhor mbi ndryshimet e propozuara nga Qeveria. Shërbimet e ligjvënësit janë duke përpunuar amendamentet e propozuara, ndërsa deputetët ndodhen në pushim kolektiv.

Partitë e vogla nuk pajtohen me pragun 2 për qind për kandidatura të pavarura dhe prag prej 3 për qind për listat preferenciale të këshilltarëve komunal, nga numri i përgjithshëm i votuesve në nivel komuna. Kërkesa e tyre është prag 1 për qind vetëm për listat preferenciale. Derisa Qeveria është shprehur e prerë në propozimin për plotësimin e Kodit Zgjedhor, Presidenti Stevo Pendarovski javën e kaluar ka deklaruar se në rast se Kuvendi miraton ndryshimet e tilla, nuk do t’i dekretojë.

Sipas të parit të shtetit, nuk ka logjikë që kandidati për president të garojë me 10 mijë nënshkrime, ndërsa këshilltarët komunal në Qytetin e Shkupit me mbi 13 mijë nënshkrime. Partitë e pa organizuara në grupe parlamentare dhe të pa përfaqësuara në Kuvend mbrojnë idenë që zgjedhjet që pasojnë të organizohen me Kodin Zgjedhor aktual ndërsa pas procesit ndryshimet të miratohen me konsensus të plotë politik.

Ndryshimet përfshinë edhe rekomandimet e OSBE-ODIHR-së. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në takimin e fundit me gazetarët deklaroi se miratimi i Kodit Zgjedhor mund të bëhet edhe pas pushimit kolektiv të deputetëve, por kjo do krijonte komplikime procedurale në organet që duhet zbatojnë zgjedhjet.

Ditë më parë, OJQ-të reaguan fuqishëm për propozim-ndryshime në Kodin Zgjedhor, të dorëzuara pak kohë para datës së zgjedhjeve. Sipas tyre, ky veprim është në kundërshtim me rekomandimet më të rëndësishme të OSBE-ODIHR-së që Kodi zgjedhor të ndryshohet të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve.

Më 6 gusht ishin shpallur edhe zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura më 15 tetor të vitit 2017.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme