Izraeli përsëri kërcënon Iranin me veprime ushtarake

15:09 | 5 Gusht 2021
A. B.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz, tha të enjten se vendi i tij është i përgatitur për të ndërmarrë veprim ushtarak kundër Iran.

Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e kanë akuzuar Iranin për përfshirje në sulmin ndaj një anije në Gjirin e Omanit, e menaxhuar nga kompania izraelite, “Zodiac Maritime”. Megjithatë, asnjëri shtet nuk ka ofruar dëshmi për pretendimet e tyre.

Irani ka mohuar se është i përfshirë në sulm, për të cilin Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarë të tjerë thanë se është kryer përmes dronit, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
“Jemi në një pikë ku duhet të marrim veprime ushtarake kundër Iranit. Bota duhet të marrë masa kundër Iranit tani”, tha ministri izraelit.

Në një letër dërguar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i dërguari i Iranit në Nju Jork e quajti Izraelin “burim kryesor i jostabilitetit dhe pasigurisë në Lindjen e Mesme dhe më gjerë për më shumë se shtatë dekada”.

Tensionet në Gjirin Persik dhe në Gjirin e Omanit janë rritur që nga koha kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe i vendosën sanksione këtij shteti shkaku i programit bërthamor.

Të ngjashme