Aeroporti i Sarandës 35 vite me koncesion, kushtet që duhet të plotësojnë kompanitë

23:24 | 4 Gusht 2021
Trina Galanxhi

Hapet gara për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin me koncesion të Aeroportit ndërkombëtar të Sarandës. Përzgjedhja e ofertuesit fitues do të bëhet në bazë të një procedure konkurruese të hapur, sipas kritereve kualifikuese dhe vlerësuese të specifikuara në dokumentet e prokurimit.

Kohëzgjatja e kontratës koncesionare (Partneritetit Publik-Privat, PPP) është 35 vite nga hyrja në fuqi e saj. Vlera e parashikuar e projektit është 34,3 mln euro (pa TVSH). Afati për dorëzimin e ofertave është 23 shtatori 2021. Kompanitë ofertuese duhet të plotësojnë kriterin e përvojës në projekte ndërtimi ose rinovimi të paktën të një aeroporti ku rinovimi konsiston në terminalin e pasagjerëve; pista dhe vendqëndrimi (kategoria 3C ose me art), gjatë 10 viteve të fundit, me kapacitet 1 milion pasagjerë ose më shumë.

Dokumentet e prokurimit përcaktojnë se koncesionari do të zhvillojë dhe azhurnojë vazhdimisht (çdo 5 vjet) master planin e Aeroportit  Ndërkombëtar të Sarandës, duke përfshirë parashikimet për fluksin e pasagjerëve, sigurinë, investimet e reja etj.

Në 3 fazat e operimit të aeroportit me koncesion në  5 vitet e parë të operimit parashikohet që terminali i pasagjerëve të akomodojë jo më pak se 130 mijë pasagjerë/vit ose 300 pasagjerëve në orë. Në fazën e dytë pas 5 vitesh operim parashikohet që fluksi i pasagjerëve të jetë 300 mijë pasagjerë/vit. Faza e tretë që përkon pas 10 vitesh aktivitet fluksi i pasagjerëve pritet të  jetë 700 mijë në vit.

Terminali do të projektohet dhe mirëmbahet me qëllim të zgjerimit të kapacitetit të aeroportit në 2 milion pasagjerë në vit. Sipërfaqja totale e terminalit të ri, në  fazën e parë do të jetë se paku 5,000 metra katrorë.

Në dokumentet e tenderimit thuhet se koncesionari do të respektojë standardet dhe praktikat shqiptare për sigurinë, kontrollin e kufirit (emigracionin) dhe zakonet. Sakaq aktivitetet e tregtisë me pakicë, të tilla si bare dhe restorante të jenë në dispozicion nga fillimi i operacioneve të terminalit.

Aeroporti i Sarandës ndodhet rreth 6 km larg qytetit të Sarandës, pranë rrugës nacionale, 20 m mbi nivelin e detit. Në perimetrin e zonës së projektit të distancuar prej tij ndodhen fshatrat Cukë, Caush, Aliko, Neohor, Dritas, Plaga e Re, Skate. Nga ana perëndimore, zona e projektit kufizohet me kodrat ku shtrihet fshati  “Lëkurës” me kështjellën e tij dhe përtej kodrave shtrihet qyteti i Sarandës. Lumi Bistrica përshkon zonën e projektit përgjatë kësaj ane. Në anën jugore kufizohet nga Liqeni i Butrintit./Monitor/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme