Sejdiu: Pavarësisht se e ka pasë moton për paqe, Rugova e ka ditur se lufta do të ndodhë

22:41 | 3 Gusht 2021
Përparim Bublaku

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, i është kthyer debatit të vjetër lidhur me krahun e luftës dhe të paqes gjatë kohës së paraluftës në Kosovë. Në rrëfimin për Pressing, Sejdiu ka thënë se Presidenti Rugova ishte i sigurt se lufta do të ndodhte.

Madje, sipas tij, Rugova për luftën e dinte që nga viti 1991, kur në Shqipëri kishte nisur stërvitja e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku do të merrnin pjesë edhe Adem Jashari e Zahir Pajaziti.

“Unë them se shumëçka është keqinterpretuar, unë e di se Rugova, pavarësisht se e ka pasë moton apo ecjen e tij në paqe, gjithmonë e ka menduar se do të ndodh lufta. Ka qenë i bindur se ka me ndodh, ka qenë i bindur nga fillimi, nga ’91, kur kanë shkuar njerëzit që të përgaditen në Shqipëri. Kanë qenë disa qendra stërvitore atje, ku kanë shkuar edhe Adem Jashari e Zahir Pajaziti”, ka thënë Sejdiu në Pressing.

Ish-presidenti ka folur edhe për luftën speciale që ia bënin Rugovës gjatë asaj kohe, deri te bllokimi i fondeve të Presidencës. Sipas Sejdiut, kishte prapavija prej më të ndryshmeve për t’ia krijuar një imazh të keq Rugovës, përfshirë edhe përpjekjet që ai të paraqitjet si një shfrytëzues i papërgjegjshëm i buxhetit të qeverisë së asaj kohe.

“Ka qenë një pjesë që i kanë bërë anatemim Rugovës, gjë që i ka bërë dëm lëvizjes. E kanë luftuar Rugovën në mënyra të ndryshme, deri te bllokimi i fondeve për presidencën”, ka thënë Sejdiu.

Por Rugova ishte në dijeni për secilën prapavijë, sepse kishte burime të shumta informacione nga shumë anë, ka theksuar Sejdiu.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme