Projekti 1 euro “Marina e Vlorës”, ndryshon pronësia e portit detar

11:52 | 3 Gusht 2021
Trina Galanxhi

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga shoqëria “Porti detar Vlorë”, sh.a., te Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe transferimin në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS) të pronave të paluajtshme shtetërore në zonën kadastrale nr.8602, Bashkia Vlorë, sipas listës së pasurive dhe planit të rilevimit, sipas aneksit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

“Pasuritë e paluajtshme shtetërore, vihen në dispozicion për zhvillimin e realizimin e projektit investues strategjik “Marina di Valona”, me subjekt investues bashkimin e shoqërive (JV), “Marina di Valona”, sh.p.k., me NUIS M01324008A, “Brunes”, sh.p.k., me NUIS K37125203H, “Ndregjoni”, sh.p.k., me NUIS K31329048I, dhe “Marina projects” LTD, me numër regjistrimi 04182366.
Vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore, sipas pikës 1, të këtij vendimi, për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Marina di Valona”, bëhet për 20 (njëzet) vjet, me tarifën simbolike 1 euro/kontrata. Afati i përdorimit fillon nga data e nënshkrimit të kontratës së qirasë ndërmjet ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe subjektit investues. E drejta e përdorimit të tokës shtetërore me subjekt investues bashkimin e shoqërive (JV), “Marina di Valona”, sh.p.k., me NUIS M01324008A, “Brunes”, sh.p.k., me NUIS K37125203H, “Ndregjoni”, sh.p.k., me NUIS K31329048I, dhe “Marina projects” LTD, me numër regjistrimi 04182366, dhe detyrimet e kushtet e përdorimit të bazohen në vendimin nr.4/3, datë 29.3.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike dhe kontratën e qirasë që do të nënshkruhet ndërmjet subjektit investues dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë” përcaktohet në vendimin e miratuar.
Pasuritë e përmendura në vendim, hiqen nga lista e inventarit të pronave shtetërore. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, Porti Detar Vlorë, sh.a., dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi./scan/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme