Google ADS

Serbia s’ka interesim për arritjen e një marrëveshje, Qeverisë i kërkohet të qartësoj agjendën

08:02 | 31 Korrik 2021
Përparim Bublaku

Pala kosovare dhe ajo serbe duhet të mendojnë njëherë e mirë e çfarë duan të arrijnë nga dialogu.

Njohësit e çështjeve politike pohojnë se në dy takimet e para që mbajtën në Bruksel presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk sollën asnjë rezultat, shkruan arbresh.info.

Kështu vlerëson analisti politik, Fatmir Sheholli.

Ai thotë se Serbia nuk është aspak e interesuar të finalizojë marrëveshjen me Kosovën.

Sheholli thotë se s’ka arsye të vazhdohen takimet Kurti-Vuçiq, pasi sipas tij dihet mendimi i Serbisë rreth kësaj çështje.

“Dy takimet e kryeministrit Kurti në Bruksel me presidentin e Serbisë Vuçiq nuk sollën asgjë. Konsideroj që Serbia është duke bërë lojë kontinuele sepse nuk është e interesuar fare për finalizim të marrëveshjes, sepse Serbia e siç e dimë të gjithë ne, që pa e pranuar pavarësinë e Kosovës nuk mundet të jetë kurrë pjese e Unionit Evropian”, ka shprehet Sheholli.

“Pra, kryeministri Kurti e as Kosova, nuk ka nevojë të dialogohet me Serbinë, sepse koka dhe platforma politike e strategjike e Serbisë është drejt Rusisë, kurse Vuçiq e përdor BE-në vetëm për fonde eventuale duke u përpjekur të lajthit BE-në se kinse është për dialog. Shkurt e shqip, Serbia nuk mund te jetë pjesë e BE duke e pasur Kosovën në kushtetutën e saj”, ka thënë  Sheholli për arbresh.info.

Shabani: Kosova dhe Serbia janë shumë larg arritjes së një marrëveshje përfundimtare

Gazetari Zekirja Shabani thotë se dy takimet e para që zhvilluan të dy palët në Bruksel tregojnë që një qartësim rreth këtij epilogu është shumë largët.

“Dialogu që po zhvillohet aktualisht me mënyrën se si po trajtohen çështjet dhe qasjen e të dyja palëve tregon se ende është shumë larg marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”, shprehet ai.

Gazetari Shabani pohon se Qeveria e Kosovës duhet ta qartësojë agjendën e dialogut dhe afatin kohor të arritjes së marrëveshjes përfundimtare.

“Takimet e nivelit të lartë duhet të vazhdojnë domosdo, por Kosova duhet të ketë platformë të qartë për bisedimet në mënyrë që të mos humbet kohë në një proces i cili mund të zvarritet pafundësisht. Pra, Qeveria e Kosovës duhet të qartësoj agjendën e dialogut dhe të ketë parasysh afatet kohore për një marrëveshje përfundimtare”, ka theksuar Shabani.

Ndryshe, takimi i dytë mes palëve në tentim arritje të një marrëveshje përfundimtare u mbajt më 19 korrik, por sikurse takimi i parë edhe ky përfundoi me thumba dhe pa asnjë rezultat.

Takimi i radhës në Bruksel pritet të mbahet në fillim të shtatorit./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme