Shpërthen zjarri në malet e Rugovës – intervenon Policia, FSK dhe KFOR-i

21:57 | 30 Korrik 2021
Arbresh.info

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka njoftuar se kanë arritur të lokalizojnë zjarrin që kishte përfshirë malin në fshatin Shtupeq të Rugovës.

Mehaj ka bërë të ditur se kanë angazhuar efektivat e specializuara të Regjimentit të Dytë të Forcave Tokësore dhe njësinë e zjarrfikjes së Gardës Kombëtare të FSK-së, si dhe po ashtu kanë bashkëpunuar me KFOR-in, ku kanë ndërhyrë me dy helikopterë, transmeton Telegrafi.

“Menjëherë pas marrjes së informacionit për shpërthimin e zjarrit në malet rreth fshatit Shtupeq të Madh në rajonin e Rugovës, kemi angazhuar efektivat e specializuara të Regjimentit të Dytë të Forcave Tokësore dhe njësinë e zjarrfikjes së Gardës Kombëtare të FSK-së. Gjithashtu kam kontaktuar me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it, gjeneralin amerikan Maier me të cilin kam koordinuar me ta ndërhyrjen nga ajri me dy helikopterë. Ndërhyrja e menjëhershme ka rezultuar me sukses të plotë dhe se zjarri është lokalizuar dhe nuk ka mundësi të depërtoj në zonat e banuara. Sonte do të qëndrojnë në vend-operacion të gjitha kapacitetet e angazhuara të FSK-së”, ka njoftuar Mehaj.

Ministri ka thënë se nuk ka vend për shqetësim sepse situata është plotësisht nën kontroll.

“Prandaj, shfrytëzoj rastin që direkt nga vend-ngjarja, të njoftoj edhe njëherë të gjithë qytetarët e Shtupeqit dhe vendbanimeve të këtij rajoni se nuk ka vend për shqetësim dhe panik sepse situata është plotësisht nën kontroll. Ne jemi dhe do të jemi me ju dhe të gjithë qytetarët e vendit në çdo moment dhe në secilën rrethanë. Kjo është detyra jonë!Ky është misioni ynë”, ka thënë ministri.

Ndërsa, Amir Gërguri nga Policia e Kosovës ka njoftuar se po udhëheqin operacionin në shërbim të ruajtje së jetës së qytetarëve.

“Njësia Speciale Operative me pjesëtarët e vet më të mirë në detyrë të veçantë me ujëjedhës/topa uji është duke asistuar DRP Pejën, në fshatin Shtupeq në përpjekje të shuarjes se zjarrit në malet a këtij rajoni. Gjithçka po bëhet ne koordinim me eprorët përgjegjës të DRP Pejë, Agjencionin e Menaxhimit të Emergjencave/zjarrfikësit që po udhëheqin me këtë operacion në shërbim të ruajtjes së jetës dhe pronës! Krenar me JU”, thotë Gërguri në postimin e tij në Facebook. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme