Numri i infektimeve të sjella në Gjermani nga udhëtimet jashtë vendit po rritet, njofton Instituti Robert Koch. Qeveria gjermane po shtrëngon frenat nga frika e valës së katërt të pandemisë së Coronës.
Rregullat e reja për hyrje në Gjermani kanë për qëllim frenimin e përhapjes së virusit Corona prej pushuesve jashtë vendit. Sipas një projekt-urdhërese nga Ministria federale e Shëndetësisë, personat e pavaksinuar në veçanti duhet të jenë të përgatitur për detyrime të reja për testim.
“Vala tjetër e numrit të lartë të infektimeve që pritet, sipas parashikimeve aktuale, duhet të shtyhet sa më shumë që të jetë e mundur.” Kabineti i qeverisë federale do të vendosë mbi draftin të premten (30.07), e vendimi duhet të hyjë në fuqi të dielën.
Në parim, sipas draftit të fundit, në të ardhmen të gjithë personat mbi 12 vjeç që vijnë në Gjermani duhet të kenë një test negativ, apo një certifikatë se janë shëruar nga Covid-19 apo janë vaksinuar. Ndërsa për personat që vijnë nga një zonë me variante shqetësuese të virusit, vlen rregulli që të gjithë duhet të kenë një test negativ, pavarësisht vaksinimit apo shërimit. Në listën e vendeve me mutacione të virusësve janë aktualisht Brazili dhe Afrika e Jugut.
Infektimet jashtë vendit
Infektimet me virusin Corona, të cilat ndoshta kanë ndodhur gjatë udhëtimit, kanë ndikuar edhe në rritjen e numrit të infektimeve në Gjermani, njofton Instituti Robert Koch (RKI). Sipas raportit të fundit për situatën, Spanja, Turqia dhe Holanda janë ndër vendet prej nga kthehen më së shumti persona të infektuar. Pasojnë Kroacia dhe Greqia. Por numri më i madh i infektimeve vazhdon të ndodhë brenda Gjermanisë, thonë autoritetet e RKI. Fjala është për të paktën 81 përqind e personave të infektuar. Në periudhën prej 28 qershorit deri më 25 korrik janë raportuar 3.662 raste të infektimeve jashtë vendit.
Në raport thuhet se variantet e virusit të klasifikuar si shqetësuese mbizotërojnë ndërkohë në Gjermani dhe në vendet e tjera të Evropës. Në Gjermani numri më i madh i të infektuarve është nga virusi Delta. Sipas RKI, incidenca shtatë-ditore në Gjermani aktualisht po rritet, veçanërisht tek fëmijët, adoleshentët dhe të rriturt, në grupet e moshave nga 10 deri 34 vjeç./DW
Lajmi i mirë për Shqipërinë, Gjeorgjia dhe Ukraina ndajnë pi...
‘Turneu i Ndryshimit’ arrin edhe në Istog, Abdixhiku: Si gji...
Sylvinho përzgjedh formacionin anti-Çeki
Shtohen masat e sigurisë në ndeshjen Shqipëri – Çeki
Driloni kujton këngët e fëmijërisë, Gresa i këndon
Arrestimi i të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it, Elshani: Nuk...