Rritja e rasteve me COVID-19, MSh dhe IKShPK u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen

08:45 | 29 Korrik 2021
V. S.

Numri i të infektuarve me koronavirus është rritur në dy ditët e fundit, ndërkaq Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në vazhdimësi i bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.

Aktualisht, në vend në total numri i rasteve aktive është 250.

Në 24 orët e fundit janë dhënë 13.867 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërkaq prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 388.073 doza të vaksinës.

Deri më sot 124.226 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

MSH dhe IKSHPK një ditë më parë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.

MSh thekson se vaksinimi është e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur nga varianti Delta i COVID-19 i cili mund të përhapet më lehtë se variantet tjera.

“Varianti Delta i COVID-19 mund të përhapet më lehtë sesa variantet tjera që qarkullojnë mes njerëzve, duke rritur kështu numrin e rasteve, shkallën e hospitalizimit dhe të vdekjeve, veçanërisht midis individëve jo të vaksinuar plotësisht”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

Ministria ka theksuar se të dhënat tregojnë qartë se marrja e të dy dozave të vaksinimit ul ndjeshëm rrezikun nga simptomat e rënda të sëmundjes dhe vdekjes.

“Nëse jeni mbi 18 vjeç, shfrytëzojeni mundësinë për t’u vaksinuar duke u regjistruar në https://ekosova.rks-gov.net/për të mbrojtur kështu vetën dhe njerëzit më të dashur”, thuhet në njoftim.

Edhe IKSHPK ka ftuar qytetarët që të vaksinohen. Instituti thekson se vaksinimi është metoda më e mirë, më e lirë dhe me efikase në luftë kundër COVID-19!

“Asnjëra vaksinë që është në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19. Kjo domethënë se nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina. Disa po ngurrojnë për t’u vaksinuar sepse frikësohen nga efektet anësore të cilat deri tani në Kosovë kanë qenë minimale por dobia e mbrojtjes nga COVID-19 është shumë herë më e madhe”, thuhet në thirrjen e IKSHPK-së për tu vaksinuar.

“Nëse nuk vaksinohemi mund të rriten rastet e reja duke u përcjellë me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturë, artit e sportit”./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme