Në 100-vjetorin e masakrës, përkujtohen të rënët e masakrës së Isniqit

13:00 | 23 Korrik 2021
A. B.

Në 100-vjetorin e masakrës ndaj popullsisë së Isniqit në Deçan nga forcat serbo-malazeze u nderua jeta dhe vepra e të gjithë të rënëve të kësaj masakre.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se të rënët e kësaj masakre janë bazamenti i shtetit të Kosovës.

Në përpjekjen për të nderuar luftën dhe sakrificën e të rënëve, Ramosaj tha se do të ndërtojnë së paku nga një epitaf në secilin vend ku janë vrarë shqiptarë.

“Janë shekuj e shekuj luftë për me pas një mirëqenie, për me jetu me të drejtën e Zotit në këtë vend, pavarësisht cilat janë rregullat, cilat janë ligjet që njerëzit i përcaktojnë dhe i bëjnë për vete. Lavdi dhe nderim për çdo njeri që ka derdhur gjak për këtë vend, e që ka qenë mësim dhe ka përcjell vazhdimësinë e brezave tanë deri në këtë kohë e ne po besoj që duhet të jemi njerëz më me kompetencë, njerëz që bëjmë për këtë vend më shumë[…]Në këtë drejtim s’kemi me u ndal. Edhe ka me qenë monumenti për 1921, edhe për Mushkolajt dhe çdo kund ku u derdh gjak i një shqiptari ka për të qenë së paku një epitaf i shkruar për me na përkujtu prej nga e kemi prejardhjen”, tha ai.

Kryetari i Lidhjes së Historianëve të Deçanit, Shkodran Imeraj tha se masakra e vitit 1921 e kryer nga forcat serbo-malazeze ka hyrë dhe do të mbetet përjetësisht në analet e historisë kombëtare.

Teksa përmendi vrasjet dhe masakrimin e shqiptarëve nga këto forca, Imeraj kërkoi që tek Mulliri Balaj në Isniq të vendoset një pllakë përkujtimore si dëshmi e gjenocidit serb ndaj popullatës së pambrojtur.

“Masakra që sot po e përkujtojmë ka hyrë dhe do të mbetet përgjithmonë në analet e historisë tonë kombëtare. Tek vendi i vrasjes së lartcekur, me iniciativën e vet banorëve të Isniqit, 10 vite më parë, pikërisht në korrik të vitit 2011 është bërë rregullimi i këtyre varrezave. Varret e tyre do të jenë përjetësisht aty si dëshmi për brezat e rinj, sesa e rëndë dhe sfiduese ka qenë rruga për liri dhe pavarësi kombëtare. Nga kjo foltore bëj apel që tek mulliri Balaj në Isniq të vendoset një pllakë përkujtuese, si dëshmi që shteti serb ka kryer gjenocid kundër popullsisë së pambrojtur duke vrarë dhe duke djegur trupat e grave dhe fëmijëve, sot shpirtat e tyre kërkojnë drejtësi. Drejtësi kjo që sot është e vonuar”, u shpreh ai.

Në emër të familjarëve të të rënëve të masakrës së Isniqit të vitit 1921, të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua profesori Hazir Mehaj.

“Në emër të të gjithë familjarëve, duke filluar nga fshati Isniq, Llukë, Strellc dhe Podgur iu falënderoj që keni marrë pjesë. Lavdi atyre dëshmorëve”, tha ai.

Me këtë rast, komuna e Deçanit ndau mirënjohje të veçantë për të rënët e masakrës së Isniqit, të vitit 1921.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme