Intervista e Albin Kurtit në Kanë: Jam rritur me filma, ata patën një impakt të madh në formimin tim estetik

20:22 | 21 Korrik 2021
L G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën e kaluar bëri parakalimin e tij në tapetin e kuq të natës finale të Festivalit të Filmit në Kanë.

I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Rita Augestad Knudsen, dhe vajza e tyre, Lean, i pari i Qeverisë së Kosovës ndodhej në shtetin francez me mision mbështetjen e dy filmave me produksion kosovar, që ishin pjesëmarrës në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Kanës.

Filmi i metrazhit të shkurtër “Pa vend” i regjisori Samir Karahoda dhe “Luaneshat e Kodrës” i regjisores Luana Bjrami, ishin dy filmat që orën prej së afërmi bekimin e kryeministrit në festivalin prestigjioz të filmit.

E ndërsa ndodhej në Kanë të Francës, Albin Kurti dha një intervistë për mediumin ndërkombëtar Cineuropa, që i dedikohet mbarë filmografisë evropiane.

Në këtë intervistë, Kurti tha se është rritur me filma dhe se suksesi i këtyre dy projekteve filmike, i ka shtyrë Qeverinë e Kosovës që ta dyfishojnë buxhetin për filmat pjesëmarrës që nga viti i ardhshëm.

“Unë jam një person që jam rritur me filma dhe ata patën një impakt në formësimin tim estetik dhe jam shumë i nderuar të jem këtu në Kanë dhe të mbështes dy filma nga Kosova, njëri “Luaneshat e Kodrës” nga Luana Bajrami, regjisore e re dhe në anën tjetër filmin e shkurtër “Pa vend” nga Samir Karahoda, iu dëshiroj atyre me te mirat. Qeveria e Kosovës i mbështet ata, dhe në këta lloj talentë qe po na bëjnë neve krenarë në arenën ndërkombëtare, na kanë bërë thirrje që të paktën të dyfishojmë buxhetin për realizimin e filmave nga Kosova vitin e ardhshëm. Ne duam që të jemi të integruar sa më shumë të mundemi në kinemanë evropiane, qoftë kjo përmes artistëve apo institucioneve shtetërore”, i ka thënë Albin Kurti gazetares Ana Stanic.

Tutje, kryeministri kosovar tha se synon që në Kosovë të bëhet një ndërthurje mes inkuadrimit të artit në edukimin shkollor.

Sipas tij, investimi në të rinjtë dhe fëmijët është investimi më i mirë që mnd të bëhet dhe kjo është arsyeja pse ai dëshiron që ata të rriten me idenë e artit, kulturës dhe të filmit.

“Unë besoj se subjektivizimi i artit dhe kulturës në brutalitetin e tregut, i cili shumë shpesh nuk ka respekt për ligjin ose demokracinë, na ka sjellë në një pikë ku vetëm ajo që konsumohet është e vlefshme, dhe jo ajo që prodhohet dhe çfarë krijohet . Për këtë qëllim, unë mendoj se kinemaja duhet të lidhet shumë me sistemin e arsimit, dhe ne po planifikojmë që në Kosovë ta bëjmë këtë, sepse ne kemi nevojë për një urë midis sistemit arsimor dhe kulturës dhe artit, kinemasë, teatrit, bibliotekës, etj. Investimi te fëmijët dhe të rinjtë është investimi më i mirë që mund të bëjmë, dhe ai lloj investimi është nga njëra anë për arsim cilësor, dhe për punësim, por nga ana tjetër për shije estetike dhe për të ekspozuar veten në disa nga krijimet më të mira të artistëve përreth botës, disa prej të cilëve mund t’i gjejmë në vendin tonë”, ka thënë Albin Kurti.

Me gjithë mbështetjen e madhe, filmi “Pa vend” i regjisorit Karahoda i cili garonte për çmimin “Filmi më i mirë i shkurtër”, nuk arriti të kthehej me të ashtuquajturën ‘Palmën e Artë’ në vendlindje. /Telegrafi/

Të ngjashme