Google ADS

Opozita maqedonase kundërshton shtyrjen e zgjedhjeve lokale

14:47 | 21 Korrik 2021
A. B.

Partitë opozitare kërkojnë që zgjedhjet të mbahen më 17 tetor. Sipas tyre, afatet Kushtetuese rregullojnë datën e zgjedhjeve në përputhje me mandatin e fundit. VMRO-DPMNE-ja vlerëson se çdo datë tjetër përveç 17 tetorit, bie ndesh me Kushtetutën.

Zgjedhjet lokale nuk caktohet në bazë të dëshirës së cilit do lider, qoftë ai edhe kryeministër. Zgjedhjet lokale mbahen në përputhje me datat e parapara në ligj dhe Kushtetutë. Ky afat është 17 tetori, pra rrethi i parë i tyre. Çdo datë tjetër përbën shkelje të Kushtetutës – deklaroi Antonio Milloshoski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Opozita shqiptare është e gatshme për zgjedhje në cilën do datë të tetorit, por thotë se prapa kërkesës për shtyrje të zgjedhjeve fshihet frika nga euforia e regjistrimit të popullsisë.

Ata kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve duke pas parasysh euforinë që ka regjistrimi tek shqiptarët dhe kjo eufori do të shkon në drejtim të opozitës. Regjistrimi qoftë në diasporë ose në vend është i mishëruar me faktin se ndryshimi duhet të ndodh tek shqiptarët dhe ajo eufori që ndodh në regjistrim do të reflektohet edhe në zgjedhjet lokale – tha Skender Rexhepi, Deputet i ASH-AAA-së.

Për BDI-në cilado datë e zgjedhjeve është e pranueshme. Integristët nuk do të ndërhyjnë në negociatat mes partive politike.

Ne si BDI nuk kemi dilema në sukseset e këtyre zgjedhjeve dhe për ne është pak e rëndësishme data e zgjedhjeve. Ia lëmë partive tjera të merren vesh për datën e zgjedhjeve, kurdo që pajtohet ne do e mbështesim – u shpreh Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.

Edhe partia “E Majta” vlerëson se data kur duhet mbajtur zgjedhjet lokale është 17 tetori dhe çdo datë tjetër mund të jetë element vlerësimi në Gjykatën Kushtetuese. Ditë më parë kryeministri Zoran Zaev deklaroi se Qeveria është duke punuar në hartimin e zgjidhjes ligjore në të cilën do të potencohet: “Mandati i kryetarëve të komunave vazhdon deri në zgjedhjen e kryetarëve të ri”, që të mund data për zgjedhjet lokale të caktohet në fund të tetorit. Kjo sipas tij bëhet për shkak të kryqëzimit të fushatave të regjistrimit me atë të zgjedhjeve lokale. Zaev sqaroi se derisa zgjidhja ligjore e cila kërkon 2/3 e votave nuk kalon në Kuvend, zgjedhjet duhet mbajtur më 17 tetor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme