Sa e sigurt është Wi-Fi publike dhe a mund të jetë duke ju vjedhur të dhënat tuaja personale?

23:06 | 20 Korrik 2021
KRG

Nëse lidheni me Wi-Fi publike apo gjatë fluturimit tuaj mund të vendosni të dhënat tuaja personale në rrezik, sipas ekspertëve të sigurisë.

Sipas një studimi britanik, 80% e udhëtarëve do të përdornin shërbimin Wi-Fi apo wireless nëse do të ofrohej gjatë fluturimit të tyre të ardhshëm. Më shumë se 65% e atyre që kanë akses në avion e përdorin atë.

Por ekspertët tërheqin vëmendjen se siguria në rrjetet Wi-Fi gjatë fluturimeve apo atyre publike nuk është në nivelet më të larta.

“Edhe pse interneti falas është i vështirë për t’u refuzuar, komoditeti për të shfletuar rrjetin ndërkohë që ndodheni mijëra metra lartë vjen me koston e tij,” thotë eksperti i sigurisë, në NordVPN.

Kjo vjen për arsye se rrjetet Wi-Fi publike, sidomos ato që ofrohen gjatë fluturimeve me avion bëhen shënjestër kryesore për hakerat apo sulmet kibernetike.

Si mund të mbrohemi ndaj sulmeve ndërkohë që përdorim Wi-Fi publike?

Çaktivizoni lidhjet automatike

Nëse i përdorni shpesh Wi-Fi publike, atëherë telefoni juaj mund të lidhet automatikisht tek çdo lloj rrjeti i hapur – edhe nëse ju nuk e jepni një komandë të tillë. Duke i mbyllur të gjitha automatic connections apo lidhjet automatike në pajisjen tuaj, ju do të jeni më të sigurt ndaj sulmeve.

 

Mos u kyçni në asnjë llogari sensitive

Nëse do të lidheni në një rrjet publik, atëherë mos hyni në asnjë llogari që kërkon të vendosni informacionet tuaja personale dhe sensitive. Nëse hakerat i kanë vënë në shënjestër këto rrjete ata mund t’ju vjedhin çdo informacion apo numër që nuk do të dëshironit ta ndanit me askënd.

Kontrolloni legjitimitetin e një faqeje para se të vendosni të dhënat tuaja personale në të

Para se të vendosni informacionin tuaj personal në një faqe, si detajet bankare apo të dhënat personale, sigurohuni që faqja ku ju po punoni të ketë të shkruar HTTPS URL. Shkronja ‘s’ tregon se protokolli i kësaj faqeje është i sigurt dhe se të dhënat tuaja janë të koduara.

 

Përdorni VPN

VPN-të e dërgojnë trafikun tuaj drejt një “tuneli” të koduar që e bën shumë të vështirë për të ndërhyrë apo për ta deshifruar ose dekriptuar atë. Duke përdorur një VPN kur shfletoni në internet, do të jeni të armatosur me një sistem të kodifikuar që ju mbron gjatë eksperiencave tuaja në rrjet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme