Erdogan: Turqia është e gatshme të diskutojë procesin e paqes në Afganistan me talebanët

12:42 | 20 Korrik 2021
Përparim Bublaku

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se vendi i tij po konsideron të menaxhojë një aeroport të madh në Afganistan dhe se Ankaraja është e gatshme të diskutojë procesin e paqes afgane me talebanët, raporton Anadolu Agency (AA).

“Duke negociuar këtë proces me talebanët, ashtu si talebanët bënë disa bisedime me SHBA-në, talebanët duhet t’i mbajnë këto bisedime me Turqinë shumë më rehat”, tha Erdoğan pas faljes së namazit të Bajramit në Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC).

Erdogan ndodhet në TRNC me rastin e 47-vjetorit të operacionit turk “Paqe në Qipro”.

Duke iu referuar bisedimeve thelbësore afgane për paqen që mbahen në kryeqytetin e Katarit, Doha, Erdoğan tha: “Unë mendoj se ne do ta përdorim mirë këtë proces. Ka edhe alternativa të tjera dhe ne aktualisht po punojmë për këto alternativa”.

“Turqia po shqyrton mundësinë të merret me menaxhimin e Aeroportit të Kabulit”, nëse plotësohen disa kushte, tha ai.

“Së pari, SHBA-ja do të jenë në anën tonë sa i përket diplomacisë, në marrëdhëniet diplomatike”, shpjegoi Erdoğan, duke shtuar: “Së dyti, (SHBA) do të mobilizojnë mjetet e tyre për ne sa i përket logjistikës dhe do t’ia transferojë Turqisë çfarëdo fuqie që ata kanë për sa i përket logjistikës”.

Për fund, Erdoğan tha se Turqia do të ketë nevojë për mbështetje “financiare dhe administrative” gjatë këtij procesi.

Luftimet intensive midis forcave afgane dhe talebanëve vazhdojnë në kohën e tërheqjes së trupave të huaja nga vendi. Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se misioni ushtarak i SHBA-së në Afganistan do të përfundojë më 31 gusht.

Bisedimet midis SHBA-së dhe Turqisë rreth sigurisë në aeroport pas tërheqjes amerikane vazhdojnë. Erdoğan dhe Biden diskutuan çështjen në samitin e fundit të liderëve të NATO-s në Bruksel.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme