Vritet një shqiptar në Itali

12:07 | 18 Korrik 2021
Përparim Bublaku

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Novara të Italisë të shtunën, ku një shqiptar ka humbur jetën. Mësohet se Caf Nikaj, 59 vjeç është vrarë me thikë pasi është goditur nga një italian. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së shtunës pak përpara orës 09:00.

Mes tij dhe autorit italian ka pasur prej disa kohësh debate për disa çështje që nuk i kishin zgjidhur. Vrasësi quhet Lorenzo Rivani dhe është 63 vjeç. Ai ka precedentë për disa krime të ndryshme kundër pronës.

Nuk dihen ende rrethanat e plota të ngjarjes, por vrasja ka ndodhur pas një sherri. Nikaj dhe Rivani ishin fqinj. Pasi u godit nga Rivani, 59-vjeçari shqiptar u përpoq të arratisej, por u rrëzua në një rrugë këmbësorësh. Shqiptari u dërgua në spitalin e Novarës, por nuk mundi që t’u mbijetonte plagëve që kishte marrë në stomak.

Ka qenë vetë autori që ka lajmëruar policinë dhe ka thënë që e ka kryer krimin për t’u mbrojtur. Megjithatë ai është dërguar në polici ku pritet që të verifikohet dëshmia që ka dhënë. Autoritetet kanë konfiskuar armën e krimit.

Dy fqinjët jetonin pranë vendit të vrasjes. Sipas dyshimeve të para, mendohet se ata janë hasur në mëngjes në rrugë. Megjithatë është e paqartë arsyeja se pse autori ishte i armatosur me thikë./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme