Pandemia në Maqedoni, mërgimtarët kanë dërguar më pak para

18:54 | 17 Korrik 2021
S D

Mërgimtarët në Maqedoni vitin e kaluar kanë depozituar 262 milionë euro, që paraqet rritje prej rreth 50% krahasuar me vitin 2019. Ky trend ka vazhduar edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se këto fonde qytetarët që jetojnë jashtë vendit, në Maqedoni i kanë dërguar përmes kanaleve zyrtare të bankave në llogari ose përmes transferimit të shpejtë të parave.

Nga ana tjetër, në kushte të masave shtrënguese dhe lëvizjes së reduktuar të udhëtarëve, paratë që mërgimtarët i kanë sjellë në dorë në vendin tonë kanë shënuar ulje prej 40% ose përmes kufirit me rrugë legale janë bartur 772 milionë euro.

“Me tejkalimin e vazhdueshëm të krizës shëndetësore përmes procesit të imunizimit masiv dhe rimëkëmbjes së ekonomisë globale dhe vendore, pritet rimëkëmbje graduale edhe e transferimeve private dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në PBV, për rreth 2% mesatarisht në periudhën 2021/22, ku pritet të kthehen në nivelin para pandemisë – njoftojnë nga Banka Popullore.

Sipas informacioneve të institucioneve shtetërore, transferimet private janë segment i rëndësishëm i ekonomisë së Maqedonisë, jo vetëm nga aspekti i bilancit pagesor, por seriozisht ndikojnë në standardin jetësorë të një pjese të popullatës dhe mundësojnë mbështetje të rëndësishme të konsumit privat, e me këtë indirekt edhe në rritjen e Prodhimit Bruto Vendor.

“Pjesa më e madhe e këtyre transferimeve private ose rreth 80% janë për konsum ndërsa nga ana tjetër, konsumi i qytetarëve paraqet komponent shumë të rëndësishme të shpenzimeve ndaj PBV-së, me pjesëmarrje mesatare prej mbi 70%”.

Rajoni i Pollogut është i njohur edhe për numrin e lartë të atyre që çdo vit largohen në mërgatë. Gastronomët në këtë pjesë të shtetit shprehen se ndjehen pasojat e pandemisë kur flasin për mërgimtarët. Këtë vit është kthyer numër më i vogël i tyre ndërsa deri te familjarët e tyre kanë dërguar më pak mjete financiare. Dëshmi për këtë është edhe numri më i vogël i dasmave, që janë traditë e mërgimtarëve në këtë pjesë të vitit.

Në periudhën para krizës, transferimet e përgjithshme private ishin mesatarisht rreth 16% të Prodhimit Bruto Vendor. Vitin e shkuar, për shkak të pandemisë kishte rënie, duke pasur parasysh që numri më i madh i remitencave dërgohen në kesh, me çka ato arrijnë rreth 12% të Prodhimit Bruto Vendor./alsat/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme