“Kërcënimi më i madh për Izraelin, posedimi i armëve bërthamore nga Irani”

01:42 | 16 Korrik 2021
A. B.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz tha se posedimi i armëve bërthamore nga Irani është kërcënimi më i madh për Izraelin.

Sipas lajmit në gazetën izraelite “Yedioth Ahronoth”, ministri Gantz dha deklaratë në një ceremoni që u mbajt në bazën ushtarake Dayan në afërsi të Tel Avivit.

Gantz vuri në dukje se Lindja e Mesme po kalon ndryshime radikale dhe se Izraeli ndodhet përballë disa vështirësive të cilat ai i radhiti si shpërbërja e Libanit, kërcënimet që vijnë nga Siria dhe roli i Iranit në këto ngjarje.

Ai tha se nën dritën e këtyre kërcënimeve duhet të jenë të përgatitur. “Kërcënimi më i madh me të cilin përballemi është posedimi i armëve bërthamore nga Irani. Nuk kemi alternativë tjetër përveçse të rrisim fuqinë tonë”, tha Gantz.

Çfarë ka ndodhur?

Mes Iranit dhe SHBA-së, Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Britanisë së Madhe në vitin 2015 u nënshkrua një marrëveshje e cila rregullon dhe vendos nën kontroll të gjitha aktivitetet bërthamore të Teheranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump, në vitin 2018 u tërhoq nga marrëveshja, por administrata e presidentit Joe Biden në muajin prill filloi në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, bisedimet për rikthimin e SHBA-së në marrëveshje.

Izraeli kërkon vazhdimin e sanksioneve të vendosura ndaj Iranit nga periudha e Trumpit dhe mosrikthim në marrëveshjen bërthamore të nënshkruar në vitin 2015.//AA

Të ngjashme