Konjufca mbështet hartimin e rregullores së re të Kuvendit

15:02 | 15 Korrik 2021
V. S.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në punëtorinë për shqyrtimin e draft-rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të organizuar nga grupi punues.

Në fjalën e tij të rastit, kryekuvendari Konjufca i dha mbështetje të plotë hartimit të rregullores së re, duke theksuar nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të këtij procesi.

Nëpërmjet një komunikate për media nga Kuvendi i Kosovës thuhet se “Kreu i legjislativit theksoi rëndësinë që rregullorja e re të plotësojë kërkesat e Kuvendit dhe në këtë mënyrë të lehtësojë funksionimin e punës brenda institucionit”.

Rregullorja e Kuvendit përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, organeve të tij drejtuese dhe trupave të tij të punës, në ushtrimin e funksionit ligjvënës, mbikëqyrës dhe përfaqësues.

Po ashtu Rregullorja përcakton edhe rregullat për organizimin dhe funksionimin e Administratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme