Google ADS

Ligji për Shtetësinë me yll evropian dorëzohet në Kuvend, opozita shqiptare kërkon të miratohet deri në fund të muajit

14:26 | 15 Korrik 2021
Arditë Shkodra

Propozim-Ligji i Shtetësisë arrin në Kuvend. Koalicioni Aleanca- Alternativa kërkon nga kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi që ta vendosë si pikë të rendit të ditës në seancën e parë të radhës. Opozita shqiptare pret që ligji të miratohet para se Kuvendi të shkojë në pushim vjetor.

“Ligji ka arritur në Kuvend dhe pritet që të futet në rend dite në njërën nga seancat e ardhshme. Është qëllim dhe një nga synimet kryesore tona që ligji të miratohet para se të kalohet në pushim vjetor”, tha Ilire Dauti, deputete e ASH-së.

“E Majta” paralajmëron padi ndaj propozuesve të ligjit, kryeministrit dhe presidentit derisa ky i fundit e dekreton pas miratimit. Njëkohësisht kjo parti thotë se do ta paralizojë Kuvendin me mijëra amendamente.

Për shkak se kjo Qeveri e njeh vetëm gjuhën e dhunës, ne nga sot fillojmë me bllokadën totale të çdo ligji në Kuvend i cili propozohet nga shumica dhe Qeveria. Pra paralizë totale të Kuvendit”, deklaroi Borisllav Kërmov, deputet i partisë “E Majta”.

OBRM-PDUKM-ja dhe partnerët e koalicionit thonë se nuk janë të njoftuar me përmbajtjen e ligji dhe se vendosja e yllit evropian në të paraqet keqpërdorim të procedurave parlamentare.

Është shumë e papërgjegjshme të kërkohen tema që nxisin tema ndër etnike në shtet. Është shumë e pa moralshme të merreni me një ligj që nuk ekziston akoma në Kuvend dhe të harroni rishikimin e buxhetit i cili është skandaloz – tha Lupço Prençov, Deputet i OQM-së.

Për shkak të yllit evropian, procedura e propozim-Ligjit të Shtetësisë nga nevoja, faza e amendamenteve dhe miratimi zhvillohet me debat të kufizuar./alsat

Të ngjashme