Google ADS

Misioni i EULEX-it ishte njollosja e ish-krerëve të UÇK-së, apo kapja e të “fortëve” të politikës

08:01 | 15 Korrik 2021
S D

Dëshmia shokuese që ish-kryegjyqtari i Eulex-it, Malcolm Simmons dha para Komisionit Parlamentar për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës ka nxitur reagime të shumta nga përfaqësues ndërkombëtar dhe vendor.

Simmons gjatë dëshmisë së tij para komisionit tha se misioni për të cilin ai kishte punuar, EULEX, ka synuar të largojë nga jeta politike personat që iu referohej si “peshqit e mëdhenj”.

Megjithatë, këto deklarata të ish- kryegjyqtarit të EULEX-it, po shihen në këndvështrime të ndryshme nga njohës të çështjeve të drejtësisë dhe ata të çështjeve politike në vend.

Avokati Haxhi Millaku, i cili ka mbrojtur edhe disa raste të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pohon se pajtohet me pretendimet dhe deklaratat e ish-kryegjyqtarit.

Ai, për arbresh.info thotë se  EULEX-i si mision kishte cak sulmin ndaj figurave kryesore të UÇK-së.

Millaku, i ka quajtur skenare dhe ndikime politike nga ana e Serbisë.

“Krye këput ajo ka qenë strategji, skenar, ndikimet politike të Serbisë si në arenën ndërkombëtare si ndikimin në institucione të cilat janë kanë të instaluara në Kosovë, UNMIK-u, EULEX-It, edhe sot kjo vërehet ndikimi i tyre e ka kanalizu në rrugë gjyqësore edhe atë nëpër mes misioneve që ka pas në Kosovë, E gjitha ka qenë nismë e Serbisë nën petkun e institucioneve të instaluara në Kosovë”, tha Millaku.

Për të gjitha rastet të cilat deri më sot i ka “zgjidhur”  gjyqësia e EULEX-it, Millaku thotë se duhet të formohen komisione për t’i rishikuar prapë ato, shkruan arbresh.info.

“Duhet të zbulohet se cilat kanë qenë rastet e fabrikuara dhe secili rast që ata (EULEX) e kanë gjyku të formohet prej institucioneve ndërkombëtare një komision dhe të bëhet evidentimi i gjitha rasteve, të shihet se ku ka shkel ligjin më së shumti”, u shpreh avokati Millaku.

Mirëpo, ndryshe nga Millaku mendon analisti politik, Blerim Burjani.

Ai pohon se roli kryesor i EULEX-it ishte ndëshkimi i të gjithë atyre që kishin afera korruptive, e që shumë prej tyre ishin pjesë e politikës.

Sipas tij , të gjithë ata që kanë bërë afera korruptive duhet të ndëshkohen nga organet e rendit dhe se politizimi i rolit të EULEX-it në Kosovë, sipas tij po vjen pikërisht nga njerëzit e atyre që kanë qenë të zhytur në korrupsion.

“Ndjekja kyçe mund të jetë e njerëzve të zhytur fuqishëm në korrupsion. Të gjithë në Kosovë dhe jashtë Kosove e dinë se për cilët persona problematik kanë për qëllime t’i verifikojnë përmes sistemit të drejtësisë për shkak se shumëçka është përfolur. Sot e tera po interpretohet si politikë. Ajo nuk ishte politik e as sot nuk është. Të gjithë ata që bënë afera korruptive duhet të ndëshkohen nga organet e rendit. Tash politizimi i rolit të EULEX-it, vjen nga njerëzit e tyre”, tha Burjani.

Problemet e brendshme të EULEX-it, sipas Burjanit kanë qenë evidente, por asnjëherë politike dhe me tendencë, shkruan arbresh.info.

“EULEX kanë pas probleme ndërmjet vete rreth proceseve gjyqësore dhe interesa tjera brenda këtij misioni,  tash kjo po shpërfaqet si politik, por jo si angazhim për  ligj. Duhet të ketë akte të shumta , dokumente të shkruara, email për të vërtetuar se a është involvuar politika e BE në këtë çështje. Pa materiale dhe argumente, janë vetëm fjalë, Simons thotë se ka argumente, le t’i bënë publike, le t’i botojnë mediat kosovare ato, pastaj mund të flitet për çështje politike”, pohoi Burjani.

Ai, megjithatë vlerëson se Kosova nuk ka fituar asgjë nga ky mision, pasi që sipas tij, ende ka persona të korruptuar që kanë mbetur jashtë domenit të drejtësisë.

“Kosova nuk i ka fituar asgjë  prej këtij misioni, korrupsioni i lart  dhe njerëzit e fuqishme të korruptuar edhe sot enden lirshëm nëpër Kosovë dhe bëjnë politik siç thonë ata të gjithë janë jashtë domenit të drejtësisë”, u shpreh ai për arbresh.info.

Ndërkaq, dëshmia e  ish-kryegjyqtarit të Eulex-it, përputhet me shqetësimet që OVL të UÇK-së i kishte paraqitur 10 vjet më parë.

“Pas analizës së arrestimeve të bashkëluftëtarëve nga ana e misionit të EULEX-it, keqtrajtimit të tyre dhe shkeljen e të gjitha procedurave paraprake ligjore, shkeljes së të drejtave themelore të njeriut dhe shumë skandaleve të tjera që po i tregon edhe ish-kryegjykatësi i EULEX-it Malcolm Simmons, Këshilli Drejtues i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, që më 7 maj 2011 kishte bërë thirrje që të mos njihet autoriteti i këtij misioni në Kosovë”, thuhej në reagimin e OVL-UÇK-së.

Ndryshe misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka filluar në vitin 2008 si misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje. Mandati ekzekutiv i këtij misioni ka përfunduar më 14 qershor 2018./S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme