Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George W. Bush, i cili mori vendimin për të dërguar trupat amerikane në Afganistan në vitin 2001 për të luftuar al-Kaidën pas sulmeve të 11 shtatorit, thotë se mendon se është e gabuar që trupat amerikane të tërhiqen tani ndërsa kryengritësit talebanë marrin kontrollin e një pjese gjithnjë e më të madhe territori në vend.
Zoti Bush, që nga largimi nga detyra në 2009, ka komentuar rrallë për veprimet e tre presidentëve të mëpasshëm – Barack Obama, Donald Trump dhe Joe Biden.
Por pas vendimit të zotit Biden për të tërhequr me shpejtësi forcat amerikane nga Afganistani, duke thënë se të gjitha trupat do të jenë kthyer deri në fund të gushtit, zoti Bush thotë se është i shqetësuar për trajtimin e grave dhe fëmijëve dhe të tjerëve që kanë mbështetur forcat e SHBA-së dhe NATO-s, nga Talebanët nëse ata marrin pushtetin përsëri pasi forcat Amerikane i dëbuan dy dekada më parë.
Në një intervistë të bërë publike të mërkurën, ish-presidenti Bush, i tha radio-televizionit gjerman Deutsche Welle, se druhet se ” gratë dhe vajzat afgane do të pësojnë pasoja të papërshkrueshme.”
I pyetur nëse është gabim që zoti Biden të tërheqë trupat nga Afganistani, Bush tha, “Unë mendoj se po, sepse mendoj se pasojat do të jenë tepër të rënda dhe kjo më trishton.”
Talebanët pretendojnë se tashmë kontrollojnë 85% të vendit, një shifër të cilën SHBA e konteston megjithëse zyrtarët e Pentagonit kanë shprehur shqetësimin për marrjen e shpejtë të territorit nga grupi militant dhe përparimin e tij drejt kryeqytetit, Kabul. Më shumë afganë aktualisht thuhet se jetojnë në territorin e kontrolluar nga talebanët sesa ai i mbikëqyrur nga qeveria afgane.
Lufta në Afganistan është më e gjata e Amerikës.
Zoti Bush tha se gratë afgane, të cilat janë terrorizuar nga talebanët, janë “të frikësuara” nga perspektiva se mund të jetojnë përsëri nën sundimin e e tyre. Zoti Bush tha se ai është gjithashtu i shqetësuar për fatin e mijëra afganëve që shërbejnë përkthyes për trupat amerikane dhe të NATO-s gjatë 20 viteve të fundit.
“Shqetësohem për të gjithë përkthyesit dhe njerëzit që ndihmuan jo vetëm trupat amerikane, por trupat e NATO-s se duket sikur ata do të lihen pas për t’u vrarë nga këta njerëz shumë brutalë, dhe jam shumë i trishtuar “, tha ai Bush.
Presidenti Biden është zotuar t’u japë përkthyesve dhe familjeve të tyre viza për të ardhur në Shtetet e Bashkuara dhe thotë se përpunimi i vizave të tyre është “përshpejtuar në mënyrë dramatike”, por nuk është i plotë.
Një zyrtar i lartë i administratës, i cili nuk ishte i autorizuar të komentonte publikisht rreth kësaj çështjeje tha se administrata e Presidentit Biden pritet të fillojë evakuimin e afganëve që kanë shërbyer si përkthyes për forcat amerikane gjatë luftës gati 20 vjeçare.
Zyrtari tha se në kuadër të ashtuquajturit “Operacioni për Strehimin e Aleatëve” nga Afganistani do të nisen gjatë javës së fundit të korrikut fillimisht aplikantët për viza të posaçme emigrimi, të cilët ndodhen aktualisht në proces aplikimi për të siguruar qëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.
Edhe pse disa republikanë të opozitës kanë kritikuar tërheqjen e trupave nga zoti Biden, sondazhet tregojnë se publiku amerikan e mbështet një gjë të tillë.
Presidenti amerikan e mbrojti me vendosmëri kthimin e trupave javën e kaluar, duke thënë se SHBA nuk shkuan në Afganistan për “shtet-ndërtim”.
“Është vetëm e drejta dhe përgjegjësia e popullit afgan që të vendosë për të ardhmen e vet dhe si do ta drejtojë vendin,” tha ai.
Ish-presidenti Trump, kishte thënë se do të kishte tërhequr të gjitha trupat deri më 1 maj, por zoti Biden arriti në përfundimin se një tërheqje deri në atë date do të ishte shumë e nxituar.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...