Mbahet trajnimi “Mbrojtja e të miturve dhe etika e medieve”

09:38 | 13 Korrik 2021
A. B.

Mbahet trajnimi “Mbrojtja e të miturve dhe etika e medieve” – organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Projekti i Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës për Lirinë e Shprehjes dhe Lirinë e Mediave-JUFREX2.

Në këtë trajnimi morën pjesë gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile si dhe zyrtarë të institucioneve publike.

Trajnimi u udhëhoq nga ekspertja e angazhuar nga KiE – Tanja Kersevan Smokvina, e cila prezantoi një kuadër të normave juridike ndërkombëtare që rregullojnë mënyrën e prezantimit të të miturve në paraqitje publike përmes medieve.

Kersevan Smokvina vuri në pah nevojën e rregullimit të këtyre çështjeve përmes ligjit të tregut të medias, sidomos në disa aspekte si: shërbimet audiovizuele, transparenca në pronësinë e medieve, si dhe të financimit të tyre. Ajo gjithashtu paraqiti normativën e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat përcaktojnë standarde të pranuara gjerësisht për respektimin e privatësisë dhe jetës familjare, të shoqëruar me aplikimin e tyre në rastet e mbrojtjes së të miturve në media.

Në këtë trajnim, paraprakisht u diskutua për të drejtat e fëmijëve në Kosovë, rrezikimin e privatësisë së tyre nga paraqitja publike si dhe nivelin e ruajtjes së privatësisë së të miturve nga mediet kosovare.

Florina Duli – Sefaj – Drejtoreshë e Terres des hommes për Kosovë theksoi domosdoshmërinë e mos identifikimit të identitetit të fëmijëve, qoftë edhe në raste kur të njëjtit përfshihen në vepra penale.

Në anën tjetër, Ardiana Thaçi – gazetare me përvojë të gjatë në media dhe laurate e shumë çmimeve, theksoi se jo gjithnjë përgjegjësia është e gazetarëve. Sipas saj, janë eprorët në media, konkretisht redaktorët, ata që ndërhyjnë dhe vendosin për mënyrën e prezantimit të lajmeve.

Ky trajnim është organizuar në vazhdën e aktiviteteve të projektit JUFREX II, i cili implementohet nga AGK-ja dhe financohet nga BE/KiE. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme