Pas vrasjeve dhe përleshjeve në Mitrovicë, mblidhen akteret e sigurisë

14:43 | 12 Korrik 2021
M. A.

Nën kryesimin e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, dhe në prani të drejtorëve të drejtorive komunale, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, në të cilën janë shqyrtuar një varg çështjesh me rëndësi për jetën e qytetarit.

Fillimisht në këtë mbledhje kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka ngritur si shqetësim gjendjen aktuale të sigurisë në Mitrovicë, pas rasteve të fundit të përleshjes mes të rinjve, dhe vrasjes së një qytetari të Mitrovicës. Lidhur me këtë, kryetari Bahtiri tha se menjëherë ka kontaktuar Drejtorinë Rajonale të Policisë në Stacionin Jugor si dhe nivelin qendror, ku janë pajtuar që këto ditë të mbajnë takime të përbashkëta për të marrë hapa konkret në këtë drejtim.

“Këto raste po ndodhin tash kur në Mitrovicë siguria dhe rendi e qetësia kishin marrë të mbarën dhe kur krimet kanë shënuar rënie drastike, duke bërë që qyteti të jetë një nga më të qetët në vend. Por pavarësisht këtyre rasteve, në bashkëpunim me Policinë nuk do të lejojmë të kemi pa siguri në Mitrovicë dhe grupe të njerëzve që prishin rendin dhe qetësinë publike”, shtoi ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Drejtori i Inspeksionit, Fidan Ademi, njoftoj ekzekutivin lidhur me formimin ne komisionit komunal i përbërë nga Drejtoria e Inspekcionit, Drejtoria e Mjedisit dhe ajo e Urbanizmit për plotësim/ndryshimin e Rregullores Komunale për Mbrojtjen e Mjedisit 02/2010, respektivisht neni 15 për mbrojte nga zhurma, ku është specifikuar lartësia maksimale e zhurmës konform standardeve evropiane, ndërsa për të gjithë kundërvajtësit do të shqiptohen gjoba të rrepta. Dhe sipas praktikës së Inspekcionit nëse tri herë i tërhiqet vërejtja dhe përsëritet gabimi, atëherë i pezullohet veprimtaria atij subjekti.

Ai më tutje ka thënë se ky plotësim/ndryshim i rregullores do të kaloj përmes procedurave për miratim në Kuvendin Komunal, ku përveç kësaj, Drejtoria e Inspekcionit shumë shpejtë do të ketë në posedim edhe pajisjen e cila do të identifikoj nivelin e zhurmës në lokalet e natës.

Ndërkaq, zyrtari kryesor financiar, prezantoi para të pranishmëve raportin financiar për gjashtë mujorin e parë të vitit 2021, të hyrat vetanake, shpalosjen e buxhetit dhe shpenzimeve, investimet kapitale, obligimet e papaguara, lëndët e ekzekutuara nga Ministria e Financave- Departamenti i Thesarit. Zyrtari kryesor financiar, Adem Fazliu, lidhur me inkasimin e të hyrave vetanake për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, tha se në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2020, ka shënuar rritje prej 98,48%, ndërsa sa i përket inkasimit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 në krahasim me planifikimin, Komuna e Mitrovicës ka arritur të realizoj 63,47%, ose 1,482,618.00 euro.

Gjithashtu ZKF, Adem Fazliu, njoftoi ekzekutivin lidhur me Raportin final të Auditimit për vitin 2020 për Komunën e Mitrovicës, me ç’ rast u diskutua për opinionin e auditorëve, fushat të cilat janë audituar si dhe të gjeturat nga auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Me këtë rast, ai ka potencuar se opinioni i këtij raporti është i pamodifikuar dhe se gjetjet/çështjet janë gjithsejtë trembëdhjetë (13), dhe se opinioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit është shumë i favorshëm dhe i vlerësuar nga ZKA, çka rezulton si angazhim për plotësimin e rekomandimeve nga pasqyrat financiare të vitit 2019 në 2020.

Në fund, drejtoresha për Shëndetësi, Erseka Hasanaj Barani, ka thënë se në Mitrovicë momentalisht nuk ka asnjë rast aktiv pozitiv me virusin Covid-19, dhe që nga fillimi i vaksinimit deri më tani janë dhënë 14 mijë doza të vaksinës për qytetarët e Mitrovicës, ku ekipet e QKMF-së në vazhdimësi kanë qenë në monitorim të gjendjes shëndetësore të këtyre rasteve pas marrjes së vaksinës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme