Largimi i mjekëve trend në rritje, kërkohet të ndryshohet Ligji për shëndetësi

09:18 | 11 Korrik 2021
Përparim Bublaku

Në gjashtë mujorin e vitit 2021 ka pasur rritje të kërkesave për vërtetim nga mjekët për t’u larguar nga Kosova.

Nga ky komunitet thonë se për të ndalur këtë trend duhet të ndryshohet Ligji për shëndetësi dhe të bëhet Ligji i pagave.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se projeksioni i largimit të mjekëve për këtë vit pritet të shkojë deri në 120.

Tutje, ai tha se janë në përfundim të një sondazhi të cilin do ta publikojnë brenda dy javëve të ardhshme rreth satisfakcionit që kanë mjekët e rinj gjatë shkollimit të tyre në Kosovë.

“Gjatë 3 vjetëve të fundit ne kemi pasur një shifër prej 110 mjekëve që shkojnë për çdo vjet shumica prej tyre 80% mjekë të rinj të posa diplomuar dhe në 6 mujorshin e parë ne kemi një rritje ku 62 mjekë kanë marrë vërtetimin për t’u larguar nga Kosova që nëse shkon me këtë projeksion e kemi 120 mjekë që largohen. Një rritje e cila përkundër këtyre bllokadave si nga Covidi për komunikime dhe kontakte direkte dhe ajo e vizave. Kështu që ky trend veçse ka dhënë sinjal se do të rritet dhe është brengosës. Fakti që dhënia e specializimeve është në masë nuk ka qenë i mjaftueshëm që të qëndrojnë këtu sepse në vend të parë kanë qenë kushtet e punës dhe specializimeve. Definitivisht është çështja e ngritjes së kapaciteteve për t’iu ofruar trajnime dhe shkollime e këtyre mjekëve ashtu siç duhet kushtet e punës dhe shkollimit të tyre i cili është i mangët. Tani jemi në përfundim të një sondazhi të cilin do ta publikojmë brenda dy javëve të ardhshme rreth kënaqësisë apo satisfakcionit që kanë mjekët e rinj gjatë shkollimit të tyre në Kosovë. Të gjithë janë të brengosur për kualitetin e arsimit dhe fazës së dytë të shkollimit të tyre specialistik”, tha Sejdiu.

Ndërsa, kryetari i Federatës së Sindikatës të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, ka thënë se në kohën e pandemisë Qeveria aktuale i ndërpreu edhe ato pak stimulime për mjekë dhe infermierë me arsyetime që ai i quan banale.Tutje, ai tha se jo vetëm infermierët dhe mjekët por edhe të rinjtë po largohen nga vendi, duke shtuar se vetëm këtë vit e kanë kërkuar që të largohen afër 100 mjekë.

“Në kohën e pandemisë kur ne mjekët dhe infermierët ishim heronj, kemi punuar pa pushim. Mirëpo mu në kohën e pandemisë Qeveria aktuale i ndërprenë edhe ato pak stimulime me arsyetimin më banal. Ky është shembull i ofendimit të dinjitetit dhe integritetit të punëtorëve shëndetësor. Dhe ju nuk mund të prisni që këta të rrinë duarkryq dhe të presin edhe valën e katërt. Ata që janë të rinj kanë energji dhe mundësi të cilët kërkojnë që sa më shumë të dalin jashtë vendit jo vetëm mjekët por edhe infermierët për të cilët ka kërkesa të mëdha nga Evropa jo vetëm nga Gjermania. Janë afër 100 mjekë deri tani këtë vit që kanë kërkuar për t’u larguar, dhe kur e shohim këtë statistikë që çdo ditë 100 deri 150 për Kosovën është humbje e madhe”, tha Syla.

Ai tha se nuk ka skematizim të mirëfilltë të vendeve të punës dhe specializime të duhura e që janë më shumë politike.Syla theksoi se federata ka kërkuar nga Qeveria aktuale të ndryshohet Ligji për shëndetësi dhe dhe të bëhet Ligji i pagave.

“Puna e parë është që mjekët nuk kanë skematizim të mirëfilltë të vendeve të punës. Dhe e dyta është që nuk kemi specializime të duhura sepse janë specializime politike. Edhe ajo që është më e rëndësishmja është paga sepse sot një specialist në Kosovë paguhet 600 euro dhe një infermierë me 377 euro. Duhet më shumë investim në shëndetësi. Të rinjtë po shohin jetën ndryshe dhe nuk duan të rrisin fëmijët këtu dhe duan të krijojnë jetën ku ata e shohin një stabilitet ekonomik. Federata ka kërkuar dhe nga Qeveria aktuale. Janë dy gjëra të rëndësishme, e para të bëhet sa më shpejt Ligji për shëndetësi i cili duhet të ndryshohet dhe të merren parasysh kërkesat e mjekëve, Sindikatës dhe Odës në të cilën kemi paraparë që mjekët e posa diplomuar menjëherë të futen në sistem të punës qoftë si mjekë të përgjithshëm apo në reparte. E dyta është Ligji i pagave. Nëse qeveria aktuale nuk e aprovon ashtu siç e ka paraparë në legjislacion ku do të ketë stabilizim të pagave, atëherë pa këto dy ligje në vitin e ardhshëm do të jetë edhe më katastrofë për shëndetësi”, tha ai për EO.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme