Google ADS

“Partia” e Vjosa Osmanit më afër shuarjes sesa formimit, “njerëzit e saj do t’i kthehen LDK-së”

09:10 | 10 Korrik 2021
L G

Akoma pa u certifikuar si parti politike legjitime, “partia” e Vjosa Osmanit, është më afër shuarjes sesa formimit si parti politike, thonë analistët.

Zyrtarë të Listës Guxo në Istog e në Ferizaj, Gjakovë e Kllokotë, nuk dëshirojnë që të garojnë në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Analistja Aferdita Maliqi, për arbresh.info, tha se pakënaqësitë e fundit vinë si shkak se nuk ka strukturë dhe një emër udhëheqës për këtë parti.

“Partia e Vjosës, e cila nuk u formua kurrë, është më afër shuarjes. Pakënaqësi ka për shkak se nuk ka strukturë, edhe aq më keq kur nuk ka një emër, që mund të jetë udhëheqës i kësaj partie, edhe nëse vendos m’u regjistru si parti”, tha Maliqi.

Në anën tjetër Lista Guxo pa Vjosa Osmanin është e pamundshme të ekzistoj deklaroi analisti Fatmir Sheholli.

“Konsideroj se iniciativa ‘Guxo’ pa Vjosa Osmanin është e pamundshme të ekzistoj, andaj është e natyrshme që të gjithë ata të cilët në një moment të caktuar u shkëputen nga LDK dhe formuan Listën ‘Guxo’ të kthehen në rrënjët e saj në LDK”, deklaroi Sheholli.

Analisti Arton Muhaxhiri për arbresh.info tha se perspektiva e listës së Vjosës është e zbehtë dhe nga euforia e zgjedhjeve njerëzit edhe mund të jenë mashtruar.

“Por, kur kalon euforia pastaj dominon arsyeja dhe njerëzit që po e kundërshtojnë garimin në zgjedhje lokale me një listë konsideroj se janë duke menduar arsyeshëm sepse pse ka logjik t’i bëjnë argat dikujt tjetër dhe mos t’i bëjnë argat vetes dhe partisë se tyre. Në përgjithësi mendoj që perspektiva e listës së Vjosës është e zbehte. Njerëzit e saj do të fillojnë tu bashkohen partive tradicionale sepse tashme kanë provuar një parti eksperimentale”, tha Muhaxhiri.

E ndërkaq Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, për arbresh.info tha se subjektet politike kanë afat të dorëzojnë aplikimin e tyre në KQZ deri më 16 gusht.

“Të gjitha subjektet politike (partitë politike; koalicionet; nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 tetorit, duhet të dorëzojnë aplikimin e tyre në KQZ deri më 16 gusht. Pra, deri në këtë datë, subjektet politike, përveç aplikimit të tyre, duhet të dorëzojnë edhe listën e kandidatëve për Kryetarë të Komunave apo për Kuvende Komunale’, deklaroi Elezi.

Ndryshe, Donika Gërvalla, nga Lista Guxo ka deklaruar se në zgjedhjet lokale të 17 tetorit do të garojnë së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, vendim ky që nuk është pritur mirë nga disa degë duke shpërfaqur haptas pakënaqësitë./arbresh.info/S.D/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme