Google ADS

Ambasada amerikane i kërkon Serbisë drejtësi për vëllezërit Bytyqi

10:27 | 8 Korrik 2021
Arbresh.info

Ambasada amerikane në Serbi ka thënë se rasti i tre vëllezërve Bytyqi, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, ilustron nevojën urgjente që Serbia të hetojë rastet e pazgjidhura të krimeve të luftës dhe të fokusohet në fuqizim të sundimit të ligjit.

Ambasada ka bërë këtë deklaratë në përvjetorin e 22-të të zhdukjes së vëllezërve Bytyqi, sa kanë qenë në mbajtje të policisë speciale të Serbisë.

Trupat e tyre më vonë janë gjetur në një bazë në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë, e cila është kontrolluar nga Goran Radosavljeviq – Guri.

“Vëllezërit Bytyqi janë ekzekutuar, janë qëlluar në kokë me duar të lidhura mbrapa shpinës, dhe edhe pas dy dekadave nuk ka hetim të plotë. Ne nuk mundemi dhe nuk do ta harrojmë këtë krim. Sjellja e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi dhe familjet e tyre, si dhe mbajtja përgjegjës e atyre që kanë kryer dhe fshehur vrasjet e tyre, vazhdon të jetë prioritet për marrëdhëniet tona bilaterale me Serbinë”, është thënë në reagimin e Ambasadës.

Më 7 korrik, Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi ka thënë se është duke mbledhur prova të reja me qëllim që të “përcaktohet identiteti” i autorëve të vrasjes së vëllezërve Bytyqi më 1999.

Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Prokuroria serbe tha se vrasja e vëllezërve Bytyqi është në fazën e hetimeve që po zhvillohen kundër “autorëve të panjohur mbi bazën e dyshimit se ishte kryer krim lufte ndaj të burgosurve të luftës”.

“Problemi në rastin tonë dhe në shumë raste të tjera është se Serbia madhëron dhe mbron kriminelët e luftës”, tha për Radion Evropa e Lirë, Ilir Bytyqi, vëllai i tre shtetasve të vrarë amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi.

Këto komente të Ilir Bytyqit vijnë pasi Serbia nderoi me një medalje mirënjohjeje ish-komandantin e xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq-Guri.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, Ilir Bytyqi tha për Radion Evropa e Lirë se “afërsia midis presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së tij me kriminelët e luftës është turp” dhe se kjo “parandalon drejtësinë dhe i privon viktimat që të arrijnë paqe”.

“Në vitin 2016, presidenti Vuçiq i premtoi nënpresidentit të atëhershëm, Biden (presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara) se ai personalisht do të angazhohej në zgjidhjen e vrasjes së vëllezërve të mi. Vuçiqi më pas i tha familjes time dhe zyrtarëve amerikanë se Goran Radosavleviq ishte përgjegjës për vrasjen e tyre. Për një kohë të gjatë ekzistojnë prova të gjata dhe të mjaftueshme (për këtë)”, tha Bytyqi.

Nga Presidenca serbe nuk i janë përgjigjur pyetjes së REL-it nëse Vuçiqi ka folur para zyrtarëve amerikanë për përgjegjësinë e Radosavleviqit për vrasjen e vëllezërve Bytyqi dhe se çfarë informacionesh ka Vuçiqi për këtë rast. Zyrtarët serbë, të udhëhequr nga presidenti Vuçiq, nuk kanë konfirmuar këto pretendime të Ilir Bytyqit, të cilat ai i ka bërë publike para mediave.

Pas raportimit të Radios Evropa e Lirë më 30 qershor, se xhandarmëria, në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin e suksesshëm i ndau një medalje Radosavleviqit, që ishte komandanti i parë i njësisë speciale të xhandarmërisë, reagoi Ambasada amerikane në Beograd.

Duke kujtuar se Radosavleviqi ishte në krye të kampit ku u gjetën eshtrat e tre shtetasve amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, ambasada tha më 3 korrik se Radosavleviq “duhet të përballet me drejtësinë dhe nuk duhet të marrë medalje”.

Në një postim në Twitter, Ambasada amerikane po ashtu kujtoi se Shtetet e Bashkuara e kishin sanksionuar Radosavleviqin, për përfshirjen e tij në vrasjen e vëllezërve Bytyqi./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme