Anglia në finale të Kampionatit Evropian për herë të parë në histori, fiton në vazhdime ndaj Danimarkës

23:52 | 7 Korrik 2021
Arditë Shkodra

Anglia ka shkuar në finale të Kampionatit Evropian për herë të parë në histori, duke e mposhtur Danimarkën pas vazhdimeve me rezultat 2-1.

Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë me të dy skuadrat që provuan të gjejnë hapësira në mbrojtjet kundërshtare, duke bërë lojë të kujdesshme.

Përveç disa gjysmërasteve, rrjetat heshtën deri në minutën e 30-të, momente kur Danimarka ishte më e mirë në lojë.

Goli i parë në ndeshje erdhi po në minutën e 30-të të takimit, kur i riu Mikkel Damsgaard shënoi nga goditja e dënimit mbi 25 metra (1-0).

Ky ishte goli i parë nga gjuajtja e lirën në këtë Euro 2020 dhe një nga më të bukurit në këtë kampionat.

Por Anglia nuk u dorëzua dhe filloi të rrezikojë më shumë.

Fillimisht rast të mirë kishte Raheem Sterling në minutën e 38-të, por goditja e tij nga brenda zonës u prit nga portieri danez.

Por sulmet e shumta iu shpërblyen në minutën e 39-të, kur pasimin e Bukayo Saka e ktheu në portën e tij Simon Kjaer, në tentim për ta larguar topin (1-1).

Në minutat e mbetura Anglia kishte më shumë nga loja, por danezët të gatshëm gjithmonë për kundërsulme.

Rastin e parë në pjesën e dytë e kishte Kasper Dolberg që gjuajti fort,, por priti portieri.

Pas tij provoi Harry Maguire me kokë në minutën e 55-të, por Kasper Schmeichel bëri pritje të madhe për ta ruajtur portën.

Në minutën e 75-të ishte një moment në zonën e danezëve ku anglezët kërkuan penallti, por pas rishikimit në VAR, u vendos që nuk kishte dicka të tillë.

Deri në fund nuk kishte më raste dhe ndeshja shkoi në vazhdime.

Anglia ishte më e mirë në vazhdime duke provuar të krijojë raste. E kjo iu shpërblye kur Raheem Sterling u pengua në zonë pas një depërtimi në minutën e 112-të dhe gjyqtari drejtoi gishtin nga 11-metërshi.

Edhe pse danezët reaguan, vendimi nuk u ndryshua. Harry Kane huqi nga penalltia fillimisht, por nga topi i kthyer shënoi për 2-1.

Në vazhdimin e dytë të dy skuadrat edhe pse provuan nuk arritën të shënonin, duke bërë që Anglia të kalojë në finale të Euro 2020.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme