SHBA-ja dhe Rusia do të diskutojnë për sigurinë kibernetike

12:05 | 7 Korrik 2021
Arbresh.info

Zyrtarët amerikanë do të presin javën e ardhshme homologët e tyre rusë, për të diskutuar çështje të sigurisë kibernetike.

Presidenti Joe Biden do të mbledhë sot zyrtarë të sigurisë për të diskutuar po këtë temë, njoftoi sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Qindra kompani amerikane janë prekur nga një sulm kibernetik, që është kryer më 2 korrik, kundër kompanisë së teknologjisë Kaseya, me seli në Floridë.

Kryesit e sulmit, që dyshohet se janë rusë, janë duke kërkuar 70 milionë dollarë për të zhbllokuar të dhënat e kompanive.

Psaki tha se kompanitë nuk duhet të paguajnë shumën e kërkuar, pasi një gjë e tillë vetëm se do t’i inkurajojë kriminelët kibernetikë të vazhdojnë veprimet e tyre.

Rasti Kaseya është sulmi i tretë i madh kibernetik, i kryer në muajt e fundit, nga kriminelë që besohet se vijnë nga Rusia.

Në maj, hakerët kanë sulmuar operatorin më të madh të tubacionit të karburanteve në SHBA, Colonial Pipeline.

Në qershor, shënjestër e sulmit kibernetik ka qenë kompania më e madhe në botë për përpunimin e mishit, JBS.

Biden ka biseduar me homologun rus, Vladimir Putin, për sigurinë kibernetike, gjatë takimit të tyre në Gjenevë, muajin e kaluar.

Biden ka thënë se Kremlini duhet t’i ndjekë kriminelët kibernetikë brenda Rusisë.

Shumë analistë thonë se Kremlini mbyll sytë ndaj sulmeve kibernetike të hakerëve rusë, për aq kohë sa nuk i sulmojnë kompanitë vendase./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme