Pasi administrata e tij nuk e arriti objektivin e saj të vaksinimit Ditën e Pavarësisë, Presidenti Joe Biden do t’u bëjë thirrje përsëri të martën amerikanëve të paimunizuar që të vaksinohen për të mbrojtur veten dhe të tjerët kundër koronavirusit, veçanërisht ndaj variantit më të fundit që është shqetësues.
Presidenti Biden do të mbajë një fjalim në Shtëpinë e Bardhë mbi përgjigjen ndaj COVID-19-s dhe programin e vaksinimit ndërsa rriten shqetësimet për variantin Delta të virusit që po përhapet në të gjithë vendin.
Administrata Biden synonte që të paktën 70 për qind e amerikanëve të rritur të ishin të vaksinuar pjesërisht kundër COVID-19 deri më 4 korrik. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë të premten se 67 për qind e amerikanëve kanë marrë një dozë të vaksinës COVID dhe 47 për qind kanë marrë dy doza.
Presidenti deklaroi një fitore të pjesshme gjatë festës së Ditës së Pavarësisë të dielën në Shtëpinë e Bardhë, ku ai dhe Zonja e Parë Jill Biden përshëndetën personalisht shumë prej 1,000 të ftuarve nga radhët e punonjësve të ndihmës së parë, atyre thelbësorë si dhe anëtarëve të shërbimit ushtarak.
“Ne i jemi kthyer sërish udhëtimeve. Po takojmë përsëri të afërmit. Bizneset po hapin dyert dhe po punësojnë përsëri”, u tha Presidenti Biden të pranishmëve gjatë një fjalimi 15-minutësh gjatë të cilin ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë pranë “clirimit” nga pandemia. “Sot, në të gjithë vendin mund të themi me besim: Amerika po kthehet e bashkuar”.
Presidenti paralajmëroi, se megjithatë beteja kundër virusit – i cili ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 600,000 amerikanë, nuk ka përfunduar ende.
“Mos më keqkuptoni – COVID-19 nuk është mposhtur”, tha zoti Biden. “Të gjithë e dimë se janë shfaqur variante të fuqishme. Por mbrojtja më e mirë kundër këtyre varianteve është të vaksinoheni.
Marrja e vaksinës, tha presidenti, është gjëja “më patriotike” që mund të bëni.
Ekziston një kontrast i fortë rajonal në përqindjet e vaksinimit. Në verilindje të vendit, më shumë se gjysma e të rriturve janë vaksinuar plotësisht.
Në kontrast me to, shtetet e jugut po kanë përqindje të lartë të shkallës së vaksinimit. Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në Alabama, Arkansas, Luiziana dhe Misisipi, 35 për qind ose më pak e të rriturve kanë marrë të dyja dozat.
Ekziston edhe një ndarje politike kur bëhet fjalë për vaksinat.
Sipas një sondazhi të gazetës Washington Post dhe rrjetit televiziv ABC News, vetëm 45 për qind e republikanëve kanë marrë dozën e tyre të parë të vaksinës.
Sipas Dr. Anthony Fauci, këshilltari kryesor mjekësor i presidentit dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, amerikanët që hezitojnë të vaksinohen, për çfarëdo lloj arsye, duhet të rivlerësojnë mendimin e tyre.
“Kemi të bëjmë me një situatë historike në këtë pandemi dhe ne i kemi mjetet për ta frenuar atë”, tha Fauci të dielën gjatë një interviste në programin “Meet the Press” të kanalit NBC.
Zoti Fauci tha se 99 për qind e vdekjeve të fundit nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara përfshinin njerëz të pavaksinuar.
Mes përhapjes së variantit Delta të virusit, që besohet të jetë më infektues, qeveria federale po përgatitet të dërgojë ekipe shtesë për t’iu përgjigjur nivelit në rritje të infeksioneve në shtetet jugore dhe perëndimore./voa
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën
Pacolli sot mban takim humanitar në Gjermani
Parashikimi i motit për ditën e somte
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D