Gjashtë muaj në mungesë të insulinave, MSh pret që brenda disa ditëve të zgjidhet çështja e furnizimit

23:39 | 5 Korrik 2021
Përparim Bublaku

Prej gjashtë muajsh qytetarët të cilët janë të prekur me diabet po përballen me mungesë të insulinave nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare anembanë vendit.

Për një problem të tillë me të cilin janë përballur edhe më parë, qytetarët shpresë të vetme e kanë Ministrinë e Shëndetësisë.

Por të kontaktuar nga lajmi.net nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se deri para datës 12 maj nuk kanë pasur të drejtën për shpalljen e tenderit për një qëllim të tillë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë pritet që për disa ditë çështja e furnizimit me insulina të zgjidhet.

“Ministria e Shëndetësisë ka qenë duke i furnizuar institucionet shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor vetëm e insulina analoge, të cilën institucionet e përdorin më pak. Tender për Insulina humane në të cilën ishte shpallur fituesi, pas një ankese të një operatori ekonomik nga Organi Shqyrtues i Prokurimit ishte kërkuar të kthehet në ri-vlerësim. Deri para datës 12 maj MSh për shkak të këtyre procedurave, nuk ka pasur të drejtë të shpall tender tjetër për të njëjtin qëllim”, u tha në përgjigjen e ministrisë.

Poashtu është theksuar se Ministria e Shëndetësisë tashmë ka iniciuar procedurat përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare (PShK) huamarrja nga Banka Botërore dhe UNOPS për një proces të përshpejtuar të sigurimit të 5 llojeve të insulinave humane.

“Për të gjetur një zgjidhje me qëllim të sigurimit më të shpejtë të insulinave humane derisa çështja në OSHP të marr epilogun e saj, MSh ka iniciuar procedurat përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare (PShK) huamarrja nga Banka Botërore dhe UNOPS për një proces të përshpejtuar të sigurimit të pesë llojeve të insulinave humane, me qëllim të eliminimit të mungesave aktuale, deri në stabilizimin e këtij procesi. MSh pret që për disa ditë çështja e furnizimit me insulina të zgjidhet”, u theksua tutje.

Por sa i përket klinikave në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk është raportuar për mungesë të furnizimit të insulinave.

Nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës kanë thënë se spitalet kanë insulina për pacientët e shtrirë, meqë të njëjtit furnizohen nga ShSKUK.

“Për mungesat në mjekësi familjare drejtohuni tek MSh, meqë ata bëjnë furnizimin dhe këto qendra nuk janë në kuadër të ShSKUK-së, por menaxhohet nga komunat dhe MSh”.

Ndryshe mungesa e furnizimit me insulina nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare në vend ka qenë edhe më parë.

Shkaku i kësaj mungese të furnizimit, shumë prej qytetarëve detyrohen që ato t’i sigurojnë vetë.

Rreziku që një qytetar të mbesë pa insulinë është tejet i lartë. Të gjithë pacientët e prekur nga diabeti në bazë të njohurive mjekësore nuk guxojnë të qëndrojnë pa insulinë për as edhe dy orë.

Nëse pacienti në fjalë e ka të përcaktuar të marrë insulinën dy herë në ditë, ai nuk guxoj të qëndrojë larg asaj që i është përcaktuar nga mjeku.

Lidhur me situatën e krijuar nga mungesa e insulinave ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se shumë shpejt do të ketë furnizim të insulinave në secilën Qendër të Mjekësisë Familjare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme