Google ADS

Sulmi kibernetik bllokon operacionet e një rrjeti supermarketesh në Suedi

01:39 | 5 Korrik 2021
Trina Galanxhi

Një nga rrjetet më të mëdha të supermarketeve në Suedi njoftoi të shtunën se ka mbyllur përkohësisht afro 800 dyqane pasi një sulm kibernetik bllokoi sistemin e kasave.

“Një ndër filialet tona u godit nga një sulm kibernetik që ka bërë të bllokohen kasat,” njoftoi kompania Coop Sweden e cila përfaqëson 20% të shitjes me pakicë të produkteve ushqimore në Suedi.

Coop Sweden nuk përmendi filialin apo metodën që ishte përdorur për të realizuar sulmin e së premtes.

Por një incident i tillë pason akte të ngjashme hakerimi në shkallë globale, përfshirë në Shtetet e Bashkuara.

Sulmet kibernetike të kësaj natyre zakonisht realizojnë bllokimin e sistemit operues përmes një kodi special sekret, duke i kërkuar kompanisë të paguajë për të zhbllokuar sistemin.

Vjet, hakerët zhvatën 18 miliardë dollarë përmes sulmeve të tilla, sipas një firme të specializuar sigurie.

Kompania amerikane e teknologjisë informatike, Kaseyau bëri thirrje të premten klientëve të saj të fiknin serverat që punonin me platformën e saj VSA, pasi dhjetëra prej tyre ishin sulmuar.

Gjatë javëve të fundit, sulme të tilla kanë goditur tubacione për shpërndarjen e naftës, shërbime shëndetësore dhe firma të fuqishme. Presidenti Joe Biden ka reaguar duke e ngritur këtë temë edhe në takimin që zhvilloi në qershor me homologun rus Vladimir Putin./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme