Shtetet e Bashkuara presin që Kosova dhe Serbia t’iu përmbahen detyrimeve të marrëveshjes së Uashingtonit të nënshkruar më 4 shtator 2020. Por janë ende larg pozicionet e kryeministrit të Kosovës dhe qeverisë së Serbisë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë, se Serbia nuk mund të bëhet pjesëtare në Liqenin e Ujmanit dhe për këtë ai nuk ka ndryshuar qëndrim nga ato të mëparshmet. Këtë deklaratë kryeministri e bëri në një konferencë për medie në 100 ditshin e qeverisjes së tij dhe vetëm pak ditë pasi që SHBA-ja publikoi një studim fizibiliteti për Liqenin e Ujmanit, që është pjesë e marrëveshjes së 4 shtatorit që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë nga ish- kryeministri Avdullah Hoti. Albin Kurti e ka kundërshtuar shumicën e zotimeve të dhëna nga qeveria Hoti në Uashington.
“Qëndrimet tona sa i përket liqenit të Ujmanit janë po ato të njëjtat, natyrisht që mund të dalin analiza dhe studime, por që puna jonë është të konsiderojmë Ujmanin ashtu siç është, liqen artificial i Kosovës për Kosovën. Ne atë tashmë e kemi paguar. Sa i përket marrëveshjes së Uashingtonit e kam thënë që pika më e rëndësishme është ajo e fundit që tashmë është realizuar njohja nga Izraeli”, tha Kurti. Ditë më parë SHBA-ja publikoi një raport për Ujmanin ku propozohet formimi i një komisioni apo komiteti për lumin Ibër, që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Ujmani është një liqen artificial, i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës. E për marrëveshjen e 4 shtatorit, Shtetet e Bashkuara thanë se ato “presin që Kosova dhe Serbia t’iu përmbahen detyrimeve të marra në Uashington më 4 shtator 2020”.
“Shpresojmë që partnerët tanë të veprojnë me mirëbesim dhe të vazhdojnë t’iu përmbahen detyrimeve të marra përsipër në Uashington. Zbatimi i marrëveshjes së Uashingtonit krijon një bazë për marrëveshjet e ardhshme dhe ofron mundësi për bashkëpunim më të gjerë midis palëve. Detyrimet e marra veçse sjellin përfitime për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës dhe ne i inkurajojmë ata që të vazhdojnë me zbatimin e tyre”, transmeton Zëri i Amerikës një përgjigje të Departamentit Amerikan të Shtetit. Marrëveshja e Uashingtonit për përmirësimin e raporteve ekonomike Kosovë-Serbi, ndër të tjera, parashikon angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore, për të lidhur kryeqytetet e tyre në mënyrë që të përmirësojnë lëvizjen e mallrave dhe të njerëzve, zhvillime këto që mund të tërheqin investime perëndimore.
Lidhur me qëndrimin e pandryshuar të kryeministrit Albin Kurti për liqenin e Ujmanit dhe veriun e Kosovës reaguan edhe autoritetet në Serbi, duke pretenduar se janë “hisedare”, në këtë pjesë. Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq, duke iu referuar qendrimeve të kryeministrit kosovar tha, se “një marrëdhënie e tillë është e kuptueshme, kur nuk keni tuajën, ju e synoni të dikujt tjetër. Kjo është arsyeja pse ai (kryeministri i Kosovës) përpiqet të hedhë hi në sytë e publikut se Ujmani është pronë e së ashtuquajturës Kosovë, dhe se ai mund të shkojë në veri kur të dëshirojë”, citon B92 Petkoviqin.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, do të takohen me 25 korrik në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Palët ende kanë qëndrime të kundërta për të arritur një marrëveshje finale. Presidenti i Serbisë tha, se ai është për një marrëveshje kompromisi, ndërkohë, që Prishtina zyrtare as që dëshiron të bisedojë për ndonjë kompromis. Presidenti Vuçiq deklaroi transmeton euronews Serbia, se Serbia është e gatshme të diskutojë për një kompromis, ndërkaq është populli ai që do të vendosë në fund.
“Nuk është gjithçka e lehtë dhe e thjeshtë dhe se ne duhet t’i themi botës që të largohen nga Kosova sepse është vetëm e jona. Nuk është e lehtë ta kombinosh atë me atë që është situata reale, por është gjithashtu një mit se Serbia dhe populli serb të mos gëzojnë asnjë të drejtë në Kosovë”, tha Vuçiq. Sipas tij, nevojitet një qasje racionale, pragmatike për zgjidhjen e problemit të Kosovës, duke krijuar më shumë besim midis serbëve dhe shqiptarëve.
“Pa një zgjidhje kompromisi, kjo do të thotë që dikush mund të mbështesë konfliktin midis serbëve dhe shqiptarëve dhe kjo mund të çojë në katastrofë dhe konflikte që askujt nuk i duhen”, tha Vuçiq për Euronews Serbia. Pavarësisht deklarimeve për kompromis, Vuçiq megjithatë tha se “Kosova nuk do të marrë kurrë një ulëse në OKB”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga ana e tij nuk parapëlqen fare t’i bëhen pyetje lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në veri dhe për dialogun Kosovë-Serbi. Megjithatë ai tha, se “për koncesione duhen pyetur qeveritë e kaluara”.
“Kur presidenti i Serbisë deklaron se nuk do ta njohë kurrë Kosovën, a nuk duhen pyetur ata që kanë bërë koncesione deri më tani në emër të njohjes? Unë kam qendrim parimor, të drejtë për Republikën. Pra, sinqerisht na lejoni të merremi me drejtësi dhe punësim, menaxhim të pandemisë. E këto pyetje për dialogun janë shumë të mira për paraardhësit e mi. Pse e pranuan asociacionin, tabelat etj?, ata duhet t’i pyesni”, deklaroi Kurti.
Kosova dhe Serbia, përkatësisht ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti Aleksandër Vuçiq, më 4 shtator 2020, nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Shtetet e Bashkuara javën e shkuar i dorëzuan qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, një studim ky që parashikohet në përmbushjen e kësaj marrëveshjeje. Kryeministri Albin Kurti në konferencën e 100 ditëshit të qeverisë së tij, tha se mund të prodhohen analiza e studime, por sipas tij, “është detyrë e jona që ta konsiderojmë Liqenin e Ujmanit, ashtu siç është, liqen artificial i Kosovës.
“Liqenin e kemi paguar dhe kryer shumë dekada më parë”, tha Kurti. Liqeni i Ujmanit u ndërtua në vitin 1972, me një kredi prej 45 milionë dollarësh amerikanë, që ishte marrë nga Banka Botërore, marrëveshje kjo e ratifikuar atëherë nga Kuvendi Krahinor i Kosovës dhe Kuvendi Federativ i Jugosllavisë. Republika e Serbisë insiston, se ka trashëguar borxhin e ish-Jugosllavisë, prandaj pretendon se ka të drejtë në pronësi të Liqenit të Ujmanit./DW/
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...