Google ADS

Kroos përshëndetet nga Kombëtarja gjermane

15:30 | 2 Korrik 2021
A. B.

Toni Kroos ka vendosur t’i japë fund eksperiencës së tij në Kombëtaren gjermane. Mesfushori kualitativ thotë se tash e tutje do t’i përkushtohet totalisht klubit të tij aktual, Real Madrid.

Toni Kroos nuk është më pjesë e Kombëtares gjermane. Mesfushori kualitativ ka vendosur t’i japë fund eksperiencës tek “Die Mannschaft”, me të cilën i zhvilloi 106 ndeshje. Gjermanët u eliminuan herët nga Euro 2020 dhe ai konsideron se është koha që t’ju jepet hapësirë futbollistëve të rinj.

“Kam luajtur për Gjermaninë 106 herë. Nuk do të ketë mundësi tjetër”, ka shkruar fillimisht futbollisti i Real Madridit në një postim të gjatë në “Instagram”.

“Do të doja shumë që kjo të ndodhte derisa t’i zhvilloja 109 ndeshje ndërkombëtare dhe që ta fitoja këtë trofe të rëndësishëm, Evropianin. Sidoqoftë, unë e kisha vendosur qe një kohë të pensionohem nga Kombëtarja pas kësaj gare. Më është bërë e qartë qe një kohë që nuk do të ftohesha për Botërorin 2022 në Katar”, vazhdoi Kroos.
“Tash dua të koncentrohem totalisht në objektivat e mi me Real Madridin në vitet e ardhshme. Ndër të tjera, tash do të fokusohem edhe tek pauzat e dashura të verës, të cilat qe 11 vjet nuk ekzistonin për mua si lojtar i Kombëtares. Gjithashtu, si bashkëshort dhe baba, dua të jem në dispozicion edhe të gruas dhe fëmijëve të mi”, nënvizoi ai.

“Ishte një nder i madh për mua qe ta vishja këtë fanellë qe një kohë të gjatë. E kam bërë me nder dhe me pasion. Falënderoj të gjithë tifozët dhe mbështetësit që më kanë përkrahur me duartrokitjet e tyre. Dhe, faleminderit të gjithë kritikëve për motivin e dhënë. Në fund, dua ta falënderoj trajnerin Joachim Loew. Ai ka besuar në mua dhe më ka bërë lojtar të Kombëtares dhe kampion bote. E kemi shkruar historinë e suksesit për shumë kohë. Ka qenë nder për mua që të kontribuoja. I uroj fat dhe suksese trajnerit të ri, Hansi Flick. I juaji, Toni”, ka përfunduar letra e Toni Kroos. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme