Sa vlen për shqiptarët beteja e Kosovës

18:56 | 27 Qershor 2021
arbresh.info

Vendi ynë së paku një herë në vit ballafaqohet me Betejën e Kosovës, e cila në çdo përvjetor të saj rikthen jo vetëm fantazmat e mitit por edhe nacionalistët e hakërryer serbë, që me të folurat e tyre përçartë, vazhdimisht përsërisin se si do të hakmeren për Kosovën e humbur në Mesjetë po edhe për këtë të humburën në fundin e shekullit XX. Kjo betejë e tyre absurde do të vazhdojë edhe për shumë kohë, prandaj krahas përgjigjes politike, të cilën tashmë e ka marrë, klerikalo-nacionalizmi serb duhet të merr edhe një përgjigje të re historike dhe kulturore nga ana jonë. Kjo do të thotë se qëndrimi i shqiptarëve ndaj asaj ngjarjeje dhe rrjedhimeve të saj duhet të ridefinohet, për të shpëtuar nga pamja halucinante e mitit serb, e cila për njëfarë kohe e ka turbulluar në njëfarë mase edhe mendjen tonë dhe për të krijuar një digë refuzimi ndaj manipulimit aktual serb lidhur me Kosovën. Rruga e vetme e drejtë për këtë ridefinim është që Beteja e Kosovës e vitit 1389 të interpretohet në bazë të fakteve historike dhe interpretimit logjik të tyre brenda kohës dhe konteksteve konkrete etnike, fetare, politike e kulturore.

Shkruan: Milazim KRASNIQI

Beteja e Kosovës si luftë civile brendaserbe

Koalicioni për Betejën e Kosovës ka qenë i negociuar ndërmjet kontit Llazar Hrebelanoviqit dhe mbretit të Bosnjes, Tvërtkos, të cilët paraprakisht kishin arritur një marrëveshje për ndarjen e shtetit të Dushanit, i cili kishte filluar të shkërmoqej. Ajo ndarje e negociuar e trashëgimisë së Dushanit në dy njësi më të mëdha, i mbante ata të lidhur në interesat e tyre për mbrojtjen e sundimit dhe për eliminimin e pretendentëve të tjerë të fronit të ish shtetit perandorak serb. Pretendent serioz mbi trashëgiminë e Dushanit, krahas Llazarit e Tvërtkos, ishte Kraleviq Marku, i biri i mbretit Vukashin, i cili sundonte në Prilep dhe i cili në Betejën e Kosovës u rreshtua në anën e ushtrisë osmane. Rreshtimi i Kraleviq Markut në anën e osmanëve, ka implikime serioze mbi karakterin e asaj beteje. E para, kjo tregon se nuk ka qenë një betejë ndërmjet një koalicioni të krishterë dhe një tjetri mysliman, meqë rreshtimi i Kraleviq Markut në anën e forcave osmane, e rrëzon këtë pretendim. Pra, rivaliteti ishte edhe ndërmjet vetë serbëve, që po rivalizonin e po bënin përpjekje që të zhvatnin sa më shumë territore e pushtet mbi rrënojat e ish shtetit të Dushanit. Mbreti Vukashin nga ana e vet dhe i biri i tij, Kraleviq Marku, kishin pretendimin se ishin trashëgimtarë të ligjshëm të shtetit perrandorak serb. Në kohën e sundimit të car Dushanit, Vukashini ishte emërtuar prej vetë perandorit si sekretar i shtetit dhe me testament poashtu ishte emëruar këshilltar i Uroshit, të birit të Dushanit. Vdekja e mbretit Vukashin po edhe e Uroshit në Betejën e Maricës në vitin 1371, paraqet ngjarjen më kulmore tragjike të serbëve dhe nëse do të duhej të mbahej mend ndonjë ngjarje nga ajo periudhë, është pikërisht beteja e Maricës, me të cilën u shua dinastia nemanjide, me çka u hap rruga e shkërmoqjes së shtetit serb. Pas disaftës në Maricë, pra tetëmbëdhjetë vjet para Betejës së Kosovës, disa nga sundimtarët serbë e pranuan vasalitetin ndaj sundimit osman, e ndër ta edhe i biri i mbretit Vukashin, Kraleviq Marku. Ai si vasal edhe mori pjesë në betejën e Kosovës në anën e osmanëve, megjithëse arsyet e tij mund të kenë qenë më të thella, se sa detyrimi i imponuar nga vasaliteti. Kraleviq Marku mund të ketë pasur idenë që pas disfatës së Llazarit e të Tvërtkos, të shtrijë sundimin e vet edhe mbi territoret e tyre dhe të rikthejë territoret që ia kishin marrë Ballshajt, vetëm disa vite më parë. Nëse kjo do të mund të dokumentohej me të dhëna dokumentesh, atëherë do të rezultonte se beteja e Kosovës ka pasur edhe elemente të luftës civile ndërmjet vetë serbëve. Këngët epike serbe e theksojnë elementin e tradhtisë, të Vuk Brankoviqit, me çka në një mënyrë edhe e krijojnë idenë e një komploti brendaserb. E drejta, disa vite para Betejës së Kosovës, mbreti Vukashin marshoi kundër Llazarit dhe dhëndrrit të tij, Vuk Brankoviqit, duke ua marrë një pjesë të territoreve, gjë që konfliktin brenda vetë serbëve e mbante të gjallë.

Reklamë

Ç’është e vërteta, përçarjet dhe konfliktet ndërmjet sundimtarëve serbë, Vukashinit, Lazarit e Vuk Brakoviqit, të plotësuara edhe nga veprimet e Nikolo D’ Altomanos, pasardhësit të sundimtarit Vojsav Vojnovit, e lehtësuan marshimin e osmanëve. Prandaj, më shumë se sa epitetin e një koalicioni unik, sundimtarët serbë ata e kanë epitetin e rivalëve të përçarë, që ia kishin me hile njëri-tjetrin. Edhe fakti që menjëherë pas Betejës, trashëgimtarët e Llazarit e pranuan vasalitetin ndaj osmanëve dhe bënë krushqi të rrufeshme me ta, duke ia dhënë sulltan Bajazitit për grua Milevën, të bijën e Llazarit, është tregues i atij pasioni për ruajtjen e pushtetit me çdo kusht dhe i mungesës së përkushtimit për ruajtjen e një fronti të përbashkët antiosman.

Arbërit katolikë nuk morën pjesë në atë betejë

Një element me rëndësi lidhur me Betejen e Kosovës është abstenimi i dy sundimtarëve të fuqishëm të asaj kohe, Karl Topisë dhe Gjergj Strazimir Balshës II, territoret e të cilëve ishin me koncentrim më të theksuar të popullsisë arbëre. Mospjesëmarja e tyre në koalicion i ka brenda vetes dy motive, motivin etnik dhe atë fetar. Motivi etnik ka të bëjë me përpjekjet e tyre që të kompaktësohen e të forcohen, pas fillimit të shkërmoqjes së perandorisë serbe, e cila ua kishte zënë frymën. Fitorja e Gjergj Strazimir Ballshës I kundër Kraleviq Markut dhe marrja prej tij e Prizrenit, pak vite më parë se sa të ndodhte Beteja e Kosovës, kishte shkaktuar edhe fërkim etnik në territoret e përfshira në atë konflikt. Nga ana tjetër, dihet se “Ballshajt kishin përqafuar fenë katolike më 1369” gjë që ka pasur implikimet e veta, së paku psikologjike në raport me ortodoksinë serbe. Poashtu, edhe princi shqiptar, Karl Topia, ishte katolik dhe i lidhur me lidhje speciale me Venedikun, gjë që poashtu ka pasur implikimet e veta në qëndrimin e mbajtur ndaj koalicionit serb. Përundimisht, mospjesëmarrja e dy dinastive me elemente shqiptare, e Ballshajve dhe e Topiajve në atë koalicion, tregon mospjesëmarrjen faktike të shqiptarëve. Pjesëmarrja e shqiptarëve në radhët e ushtrisë së Vuk Brankoviqit, ishte pjesëmarrje e të nënshtruarve, që ishin të detyruar të luftonin nën komandën e sundimtarit të tyre të imponuar. Ndonjë pjesëmarrës tjetër, si Muzaka e Dhimitër Jonima, (ishte edhe ai vasal) ishin feudalë të vegjël e pa asnjë element të subjektivitetit shtetëror, i cili në atë kohë, me aq sa ishte, ishte nën autoritetin e Ballshajve dhe të Topiajve.

Fuqitë katolike evropiane nuk morën pjesë në atë betejë

Me rëndësi edhe më të madhe në këtë kontekst politik e fetar të ngjarjes, është qëndrimi abstenues që mbajtën ndaj koalicionit ndërmjet Tvërtkos e Llazarit dhe aleatëve të tyre dy shtetet më të fuqishme katolike të asaj kohe, Hungaria dhe Venediku. As njëri e as tjetri nuk e ndihmuan koalicionin serb, edhe pse formalisht Llazari ishte vasal i mbretit hungarez. Edhe ky qëndrim e bën të qartë se nuk mund të bëhet fjalë për një konflikt ndërmjet feve e qytetërimeve, sepse mospjesëmarrja e shteteve katolike të kohës, e përjashton motivimin fetar të asaj beteje. Disa vite më vonë, saktësisht në vitin 1396 u organizua një kryqëzatë e motivuar fetarisht e shteteve katolike kundër Perandorisë Osmane, kryqëzata e Nikopojës, por edhe ajo përfundoi me një katastrofë të tyre.

Nga ana tjetër, nuk duhet të shmanget nga vëmendja e vërteta se shtetet serbe të Tvërtkos dhe Llazarit, në atë kohë ishin të dobëta e nuk mund të konsideroheshin si lidere të botës krishtere. Përkundrazi, Hungaria dhe Venediku kishin primatin e shteteve lidere të krishterimit në këto hapësira, prandaj pa pjesëmarrjen e tyre në një koalicion, ai nuk ka mundësi kurrsesi që të quhet koalicion i krisherë. Në Betejën e Kosovës nuk ka marrë pjesë me asgjë as Raguza, poashtu një entitet i rëndësishëm dhe i proviniencës katolike e madje as Kotorri apo ndonjë komunë tjetër bregdetare gjithashtu të proviniencës katolike. Edhe pse prezenca e raguzanëve ka qenë e dukshme edhe në qytetetet e gadishullit ballkanik nën sundimin serb në atë kohë, ata janë rezervuar nga çfarëdo implikimi në anën e koalicionit serb. Bile, është shënuar një gjest i tyre shumë domethënës edhe nga aspekti fetar: kur Gjergj Strazimir Balsha II ia mori Kraleviq Markut Prizrenin, raguzanët që jetonin në atë qytet, e kanë pritur me dhurata të vlefshme. Ndërsa, vetë sundimtari i Zetës, Gjergj Strazimir Ballsha II, sikundër pohon studiuesi i famshëm Gjuzepe Gelqiqi, “ në ditën fatale të betejës së Kosovës, ndodhej pikërisht në Ulqin”. Pra, e gjithë bota katolike e asaj kohe ka abstenuar nga ajo betejë, duke i lënë serbët ortodoksë dhe vasalët e tyre, që të rropateshin vetë në konfrontim jo vetëm me osmanët, po edhe me renegatët e vet, si puna e Kraleviq Markut.

Pasojat pas betejës së Kosovës

Po të shikohen rrjedhimet pas Betejës së Kosovës, tabloja duket edhe më e habitshme dhe pa asnjë arsye për t’u krenuar humbësit serbë: e bija e Llazarit, Mileva u bë gruaja e sulltan Bajazidit, me çka lidhja e krushqisë u zgjerua edhe në raport me Vuk Brankoviqin, i cili ishte dhëndërr i kontit Llazar (Mara ishte gruaja e Vuk Brankoviqit). Ndërsa ajo lidhje shkoi duke u zgjeruar edhe më tej, meqë Helena, poashtu bijë e Llazarit, u bë gruaja e Gjergjit II të Ballshajve. Kjo lidhje krushqie ndërmjet tyre dhe sulltanit, e përjashton krenarinë kombëtare dhe fetare nga sjelljet e serbëve, të cilët me të siguruar të vasalitetit nga osmanët, u treguan shumë entuziast dhe besnikë të sulltan Bajazidit. Të dy bijtë e Llazarit, Stefani dhe Velkoja, luftuan me besnikëri në krahë të sulltan Bajazidit, deri sa ai humbi fatalist në Betejën e Angorës më 28 korrik 1402, ndërsa ata u kthyen si humbës e kërkuan strehë në Ulqin, te dhëndërri i tyre, Gjergj Ballsha II.

Millosh Kopiliqi si figurë letrare

Ndërsa, lidhur me Millosh Kopiliqin, në relacione dhe dokumente të kohës nuk ka të dhëna të qëndrueshme e të besueshme, që do ta prezantonin si një personalitet historik. Formësimi i figurës së tij më shumë i dedikohet poezisë se sa historisë, ndërsa dihet që nga Aristoteli se poezia i paraqet gjërat ashtu si kanë mundur të ndodhnin e jo ashtu si kanë ndodhur. Prandaj, duken joseriozë ata historianë dhe intelektualë që hulumtimin dhe vlerësimin e bazojnë në këngët epike, qofshin ato serbe, shqiptare apo të popujve të tjerë. Në fund të fundit, vrasja e sulltan Muratit, nuk e ndërroi fatin e serbëve, nuk e pengoi disfatën e tyre, prandaj nuk ka pse të ekzagjerohet si ngjarje. Janë të shumtë mbretër e perandorë që kanë rënë në beteja, por edhe ajo inkuadrohet në rrjedhën e përgjithshme të ngjarjeve, e nuk ka pse të krijohen mite tronditëse, që pastaj e deformojnë pamjen e vërtetë të historisë. Por, kjo u ndodh popujve të vegjël e të kompleksuar, të cilët vogëlsinë e tyre faktike mundohen ta zëvendësojnë me madhështinë e rreme mitike të së kaluarës. Serbët janë shembull tipik i kësaj mendësie. Por ne shqiptarët nuk kemi arsye të kemi asnjë kompleks. Nëse arsyet e serbëve për të vajtuar disfatën e tyre janë psikologjike, arsyet e shqiptarëve, për ta trajtuar me të njëjtat përfytyrime atë betejë, nuk janë normale. Sipas mitologjisë serbe, gjaku i car Llazarit, i cili e ka “shenjtëruar tokën serbe të Kosovës”, është gjak i cili simbolizon serbizmin e Kosovës dhe prezencën e përhershme të Serbisë në Kosovë. Prandaj, nga pikëpamja shqiptare, ajo betejë ose roli i saj duhet të shikohet në mënyrë kritike, e jo romantike. Ndërsa, kremtimet e tashme klerikalo-nacionaliste të serbëve në Gazimestan janë vazhdimësi e asaj pamjeje të deformuar që ata kanë krijuar për veten e tyre dhe në atë kontekst edhe për betejën e Kosovës. Por shqiptarët nuk kanë pse të inkuadrohen në atë pamje të deformuar të historisë së rreme serbe. Mësa kanë arsye që të marrin pjesë në kremtimet e tashme histerike klerikalonacionaliste në Gazimestan. Pretendimi serb se pronësia mbi Kosovën u siguruaka nga Beteja e Kosovës e vitit 1389 dhe nga gjaku i car Llazarit i derdhur në të, është pretendim krejtësisht naiv, sikundër që pretendimi eventual shqiptar se gjoja pronësia mbi Kosovën ruhet duke participuar në mitin serb të Kosovës, është poashtu pretendim naiv. Pronësinë mbi Kosovën shqiptarët e kanë fituar në historinë e re, duke e finalizuar para disa viteve. Ndërsa, sa i përket të kaluarës, ne kemi mjaft ngjarje të tjera të historisë sonë për t’i mbajtur mend dhe për t’i kremtuar, pa qenë nevoja t’ mbajmë si tonat festat që i festojnë serbët, në dëm tonin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme