Viti 2021 është vit i zgjedhjeve në Kosovë, siç kanë qenë shumë vite të tjera më parë. Në shkurt, Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa priten tash në vjeshtë edhe zgjedhjet komunale.
BE-ja dërgoi një ekip të vogël ekspertësh për të vëzhguar procesin zgjedhor të muajit shkurt. Përveç kësaj, së bashku me përfaqësuesit e tjerë të bashkësisë ndërkombëtare të vendosur në Kosovë, organizuam edhe Vëzhgimin Diplomatik. Si rezultat, u përgatit një raport gjithëpërfshirës, profesional, me rekomandime konkrete për përmirësime. Unë ua dorëzova Raportin e Misionit të Ekspertëve të BE-së për Zgjedhjet nga zgjedhjet e muajit shkurt Presidentes, Kryeministrit dhe Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Raporti i plotëson rekomandimet e mëparshme të përgatitura nga Misionet e Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së që nga viti 2013. Fatkeqësisht, asnjë nga këto rekomandime, që kërkojnë ndryshime në kornizën ligjore, nuk janë zbatuar.
Unë besoj se është koha më e mirë për t’i adresuar këto rekomandime dhe për ta filluar procesin e reformës së vonuar zgjedhore.
Reforma zgjedhore është përpjekje që kërkon angazhim të madh politik dhe kompromis nga të gjithë. Unë e di që reformat zgjedhore janë iniciuar në të kaluarën, por asnjëherë nuk janë përmbyllur me sukses. Më pëlqen thënia e famshme e Simon Sinek-ut: “Lidershipi nuk ka të bëjë me zgjedhjet e ardhshme, por me brezin e ardhshëm”. Shpresoj shumë që ky parim të jetë forca shtytëse për t’u angazhuar në një reformë të gjithanshme, gjithëpërfshirëse e substanciale, që do t’i sigurojë Kosovës një kornizë moderne zgjedhore. Kjo është e domosdosshme për ta shfaqur angazhimin e Kosovës për ta avancuar më tutje praktikën e mirë zgjedhore, përmes një procesi të qëndrueshëm dhe të qartë, që është në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe që siguron integritet.
Është e rëndësishme të përfundohet ky proces sa më përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme. Sot, duket si perspektivë shumë e largët, por nuk ka kohë për të humbur. Puna duhet të fillojë qysh këtë vit. Vlerësimet e ekspertëve tregojnë se si ndryshimet legjislative, ashtu edhe ndryshimet teknike, kërkojnë punë intensive.
Jam optimist se kësaj here, partitë politike, institucionet dhe shoqëria civile do të angazhohen me të vërtetë dhe do të jenë pjesë e punës pozitive që do të sjellë ndikim pozitiv në integritetin e zgjedhjeve të ardhshme.
I inkurajoj të gjithë aktorët politikë në Kosovë që ta rimarrin iniciativën për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor. Hapi i parë do të ishte krijimi i një komisioni ad-hok në Kuvend.
BE-ja e ka vullnetin dhe është e gatshme që të jetë pjesë e procesit për t’ia siguruar Kosovës standardet evropiane dhe praktikat më të mira.
Op-Ed nga Tomash Sunjog (Tomáš Szunyog), Shef i Zyrës së BE-së/Përfaqësues i Posaçëm i BE-së në Kosovë
Si nisi karriera e Rovenës?
Osmani: Prania e NATO-s përmes KFOR-it në Kosovë ka qenë gji...
Pse Sara i kërkoi falje Drilonit?
Sekuestrohen 76 kilogramë drogë në Itali/ Dy të arrestuar, n...
Sot duelet finale të turneut ‘Adem Jashari’
Stjuardesa e ‘British Airways’ përballet me shkarkimin nga p...